Nga Meta-Berisha, te Xhaçka e Beqaj, cilat janë dosjet që prej vitesh rrinë në zyrat e SPAK?!

Arrestimi i Vangjush Dakos ka rihapur edhe një herë debatin mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Akuzat ndaj tij kanë ngjallur pikëpyetje, ndërsa ka shumë nga ata që shprehen se SPAK nuk po shkon te nivele më të larta.

Prej vitesh në duart e SPAK ka disa dosje shumë sensitive, qoftë për politikanë majtas, qoftë për ata djathtas. Duke e nisur nga qeveria, një dosje mjaft sensitive është ajo për privatizimin e pronave të Portit të Sarandës. E paditur është ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. Koncesioni u dha kur ajo ishte ministre e Mbrojtjes, ndërkohë që presidenti aktual ishte Shef i Shtabit. Ministrja u thirr dy herë në SPAK, por duket se nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj saj.

PD ka bërë disa padi ndaj ministres së Transportit Belinda Balluku. Një ndër to është koncesioni i për kalatën në Portin e Durrësit. Nuk dihet fare se çfarë po ndodh me këtë dosje.

Një tjetër çështje flagrante është ajo e koncesioneve në shëndetësi, ku i akuzuari kryesor është Ilir Beqaj, por dhe shumë ish-vartës të tij. Beqja u thirr vjet disa herë në SPAK, por duket sikur dosja është harruar.

Lidhur me dosjet e tjera, një ndër aferat më të mëdha është padyshim marrëveshja CEZ-DIA. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, në duart e prokurorëve është një padi e juristit Romeo Kara, i cili ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta. Meta u mor në pyetje, por nuk ka pasur zhvillime.

Dosje më vete është edhe ajo e privatizimit të OSHEE nga CEZ. Në këtë dosje është paditur ish-kryeministri Berisha.

SPAK ka në dorë disa dosje të tjera kundër Ilir Metës. Kemi një padi për shpërdorim detyre, një tjetër për lobimet në SHBA. Po ashtu për ndërhyrjet estetike. Ka një padi dhe për fshehje pasurie.

Është padia ndaj Monika Kryemadhit për lidhje me rusët. Nuk ka asnjë të dhënë nëse ka nisur apo jo procedimi penal.

Dosje tjetër është ajo e Kompleksit Partizani. Kemi një padi ndaj ish-kryeministrit Berisha, ish-ministrit Arben Imami dhe dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit. SPAK ka marrë disa persona në pyetje, por ka harruar të pyesë të zotin e punës, Sali Berishën.

Nuk duhet harruar dosja e Gërdecit. Në gjykatë u dërgua Fatmir Mediu, por SPAK e ndau dosjen në dy pjesë duke hetuar dhe për pastrim parash. I rrezikuar në këtë mes është djali i ish-kryeministrit. Edhe kjo dosje ka mbetur, ndërkohë që gjyqi i Mediut zvarritet.

Ka dy padi ndaj Berishës. Një është ajo e ish-truprojës së tij Izet Haxhia, i cili e akuzon për dhjetra krime. Ndërkohë ka një padi të familjes Haklaj. Pak javë më parë u mor në pyetje Aishe Haklaj, e cila dha 12 orë dëshmi kundër Berishës.

Kemi patjetër inceneratorët, ku PD ka paditur emra si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Engjël Agaçi, Erion Veliaj, etj. Deri tani janë arrestuar vetëm “peshq të vegjël”, por asnjë zyrtar i lartë. Po ashtu ka disa padi për kryetarë dhe ish-kryetarë bashkish.

Një dosje që mund të shkundë klasën politike është edhe ajo e vrasjes së bankierit Artan Santo. SPAK ka rihapur hetimet dhe falë dëshmitarëve të penduar ka zbuluar shumë të dhëna. Madje thuhet që në duart e prokurorëve ka rënë dhe një kasetë ku përmenden emra politikanësh. Por deri më tani nuk ka pasur asnjë zhvillim.

Pra SPAK ka në duar shumë dosje sensitive, që nëse hapen e shkundin politikën. Megjithatë deri më tani SPAK është marrë me sekretarë ministrish dhe ish-kryebashkiakë. Padyshim edhe ata duhen ndëshkuar, por duhet të synohet edhe më lart, te ata që quhen “mamuthë korrupsioni”. /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej