“Non grata”/ 4 akuzat e SHBA për 4 Berishët nuk janë akuza morale, por penale me shumë prova (Fakte)

Vendimi “non grata” për Saliun nuk është personal, por familjar bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij, mbasi DASH ka konstatuar dhe konkluduar me prova, se 4 Berishët, sidomos në 8 vitet e qeverisjes 2005-2013, kanë vepruar si grup mafioz në afera korrupsioni e krime.

Mirëpo prej 10 muajsh, Sali Berisha po betohet, se ai nuk ka përfituar e nuk ka vjedhur as 1 qindarkë gjatë dy pushteteve të tij. Se familjarët e tij, janë bërë miliarderë me biznese të ndershme, pa dëmtuar askënd dhe pa pasur ndikim në vendim-marrjen e qeverisë.

Në çdo deklaratë, Sali Berisha vazhdon thotë se vendimi “non grata” është sajuar qëllimisht për ta dëmtuar atë moralisht në dinjitet, prandaj dhe i është drejtuar gjykatës në Paris e po lufton me Foltore, për të mbrojtur dhe pastruar moralin personal e familjar.

Mirëpo akuzat e DASH ndaj tij, nuk janë morale si qytetar i thjeshtë, por janë akuza krejtësisht penale, mbështetur në prova për abuzime të rënda e krime, gjatë ushtrimit të detyrave që ka pasur, madje dhe për vandalizma si kryetar i PD në opozitë.

Psh., akuza për korrupsion të nivelit të lartë, nuk është cënim moral e ulje reputacioni, por fakt penal i mbështetur në shumë prova gjatë 8 viteve kryeministër, të cilat pas shpalljes “non grata” janë rihapur e po ri-hetohen nga FBI dhe SPAK.

Nuk është cënim morali, por vepër penale, përfshirja e tij si kryeministër dhe e të birit Shkëlzen Berisha, si përfitues në aferën “CEZ” ku vodhën 700 milionë Euro, apo dosja “Gërdeci” ku u vranë 26 njerëz, ndërsa shteti pagoi 14 milionë Euro dëmshpërblime.

Nuk është cënim morali, por vepër penale dhe afera me “Kompleksin Partizani”, grabitur nga dhëndri tij, duke ia shitur me procedura anti-ligjore, me çmim qesharak e dosje pronësie false.

Po kështu, akuzë penale është përfshirja e së bijës Argita Berisha, në aferat e pastrimit të parave nga Shqipëria në Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Turqi, Qipro, Zvicër, Panama e Maltë bashkë me Damir Fazllicin, nëpërmjet 17 firmave fiktive të hapura gjatë qeverisjes së Berishës.

Nuk është cënim dinjiteti e morali, as akuza për  shitjen e ARMO-s te kontrabandisti Rezart Taçi, bashkë me të cilin, zonja “non grata” Liri Berisha në krye të një fondacioni bamirës, u përfshi plotësisht, në pastrim parash, të ardhura nga korrupsioni i burrit, djalit, vajzës e vëllait ndërtues.

Akuzë tjetër jo morale, por plotësisht penale në vendimin “non grata” për Sali Berishën, është pengimi i drejtësisë nëpërmjet fuqisë së pushtetit, për të mos e prekur atë, familjarët, miqtë dhe vartësit e përfshirë në korrupsion e krime të rënda si Gërdeci, 21 janari, video “Meta-Prifti” etj.

Nuk  mund të quhet cënim morali, as akuza ndaj Berishës për favorizim pasurimi të aleatëve të tij në qeverisje; mbasi siç dihet, Fatmir Mediu u bë pasanik duke përdorur si çiflig personal Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Mjedisit.

Ndërsa Ilir Meta, vetëm gjatë pushtetit PD-LSI ku kishte 4 ministri dhe 30% të drejtorive, shënoi rekordin e vjedhjeve me korrupsion në energji, krom, Posta, Albcontrol, naftë, porte detare, arsim, shëndetësi, polici, burgje, ushtri, hipoteka, toka në bregdet, monopole importi ushqimesh etj.

Dhe akuza “Për pengim demokracie”, në formë duket morale, por në përmbajtje është vepër penale, mbasi me bllokimin e institucioneve demokratike, Sali Berisha instaloi sundim personal, familjar e klanor, ushtruar me dhunë, korrupsion e krime… dhe me drejtësi të kapur./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej