Oficerët e Tiranës shkojnë në shtëpinë e Aleks Nikës, xhaxhai i tij mban audiopërgjimin e Gardës për vrasjet e 21 Janarit

Oficerët e Policisë Gjyqësore janë nisur këtë të mërkurë nga Tirana në drejtim të Lezhës, në shtëpinë e të ndjerit Aleks Nika. Mësohet babai dhe xhaxhai i Nikës do të pyeten për ngjarjen e 21 Janarit 2011, pas pretendimeve se disponojnë audiopërgjimin e Gardës.

Gazetari Artan Hoxha publikoi transkriptet për herë të parë më 20 janar 2023, sipas të cilave gardistët kishin marrë urdhër të hapnin zjarr me plumba të vërtetë në drejtim të protestuesve. Ai u thirr në polici dhe atje ka deklaruar se kasetën audio e disponon xhaxhai i Aleks Nikës në Lezhë.

Menjëherë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe në kuadër të hetimeve të reja që kanë nisur për katër vrasjet e 21 Janarit, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në shtëpinë e Nikës dhe po marrin në pyetje xhaxhain dhe babain e tij.

Më herët, në një deklaratë për mediat Mark Nika është shprehur se nuk ka besim te Prokuroria e Tiranës, ndaj nuk e ka dorëzuar materialin. Dje, ai takoi dhe kreun e SPAK Altin Dumani, të cilit i kërkoi të merrte në kompetencë hetimin e katër vrasjeve.

Ndërkohë, Partia Socialiste nga ana e saj ka kërkuar rihapjen e hetimeve dhe marrjen në kompetencë të vrasjeve nga SPAK. Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri ka depozituar sot një kallëzim të dytë ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit.

Pavarësisht se çfarë ka deklaruar Mark Nika në media, nëse ai vërtet e zotëron materialin audio të 21 Janarit 2011, sipas të cilit pretendohet se Garda ka marrë urdhër të hapë zjarr me plumba të vërtetë ndaj protestuesve të opozitës socialiste, është i detyruar ligjërisht që t’ua dorëzojë oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë shkuar nga Tirana në Lezhë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej