ONM kundër motrës së Belindës, kërkon shkarkimin e kunatës së Mirel Mërtirit të inceneratorëve

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shkarkimin nga detyra të prokurores Mariola Mërtiri, e cila është kunata e Mirel Mërtirit të inceneratorëve.

Ajo e ka kaloi shkallën e parë të vetingut, por ndërkombëtarët kanë konstatuar parregullsi. Trupa gjykuese që la në detyrë prokuroren ishte: Pamela Qirko (motra e Belinda Ballukut), Etleda Çiftja e Roland Ilia. Por për ndërkombëtarët ata kanë gabuar. ONM ka kërkuar nga Komisioneri Publik që të ankimojë në Kolegjin e Apelimit vendimin e KPK. ONM ka gjetur shumë parregullsi me pasurinë e saj.

Në datën 21.12.2022, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Vendimi nr. 606, datë 21.12.2022, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 13.2.2023. Sot, më datë 16.2.2023, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, njofton Komisioneri Publik.

Mariola Mërtiri është gruaja e vëllait të trafikantit Mirel Mërtiri. Ky i fundit grabiti miliona me inceneratorët dhe ndodhet në kërkim.

Sinjalet se ONM do kërkonte ankimim u dhanë që gjatë seancës në KPK. Vëzhguesi Willem Brower i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, paraqiti 16 prova që detyrojnë shkarkimin e prokurores Mariola Mërtiri, por kryetarja e komisionit, Pamela Balluku, bashkë me Etleda Çiftja e Roland Ilia, i quajtën “pa vlerë” dhe e lanë në detyrë.

Ja disa nga provat

– Prokuroja Mariola Mërtiri, nuk ka deklaruar lidhjet familjare me Mirel Mëtirin, gruan e tij Stela Gugallja dhe lidhjet në interesa me Klodian Zoton, të 3 në kërkim për landfillet.

– Ka pasur kontakte e lidhje interesash me një person nga Fieri me dy identitete V.Z e A.G, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni e trafik kokaine, prej të cilit ka blerë 1 apartament me vlerë 45 milionë lekë, në vitin 2011 kur e kishte nën hetim dhe i ka pushuar çështjen.

– Ka fshehur faktin që burri i saj, Ervin Mërtiri është drejtor te landfillet e Klodian Zotos me pagë mujore 3.9 milionë lekë dhe këto të ardhura nuk i ka deklaruar në IDKPI.

– Nuk ka deklaruar, që bashkë me burrin, trafikantin Mirel Mërtiri e Stela Gugalljan e landfillit të Elbasnit, ka udhëtuar në Austri e 10 shtete të tjerë, ndërsa pas paraqitjes së provave i pranoi.

– Prokurorja Mariola Mërtiri, ka blerë apartament, me lekët që i ka dhuruar kunati Mirel Mërtiri, gjatë kohës kur ky merrej me trafikim droge, femrash e shfrytëzim prostitucioni në Itali.

– Ka marrë 22 milionë lekë kredi të butë si e pastrehë nga Bashkia e Fierit, në kohën kur kishte në ndjekje penale Kryetarin e Bashkisë, Baftjar Zeqaj.

– Ka fshehur aksionet e burrit në disa kompani private dhe shit-blerjen e tyre disa herë, me disa persona kontingjent krimi, pjesë grupit kriminal të kunatit trafikant. /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej