Orët e fundit në krye të Policisë, Gledis Nano pret shpëtim nga amerikanët

Gledis Nano është në orët e fundit të largimit të tij nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ajo që u paralajmërua pritet të zyrtarizohet të mërkurën në mbledhjen e qeverisë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka bërë dje dy reagime për të marrë ai rolin e protagonistit të arrestimit të mashtruesit turk të kriptomonedhave dhe të autorit të krimit të dyfishtë në familje. Ishte kujdesur veçanërisht për t’i dhënë meritat Departamentit të Policisë Kriminale që prej disa javësh drejtohet nga Neritan Nallbati.

Për ngjarjen pasditen e së martës përgëzoi Policinë e Tiranës që drejtohet nga Lorenc Panganika  dhe jo Policinë e Shtetit që kryesohet deri më tani nga Gledis Nano. Këto elementë mes rreshtave nuk janë të rastësishëm, por ilustrojnë përplasjen pa kthim që doli në media një ditë më parë mes Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Bledi Çuçi nxiton të bëjë reagim për këto dy ngjarje, por ka zgjedhur të heshtë prej dy ditësh për lajmin që qarkullon mbi largimin e Gledis Nanos. Asnjë reagim prej tij, asnjë reagim prej Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit.

Prej fundjavës së shkuar kur iu kërkua dorëheqja dhe Gledis Nano e refuzoi, nuk ka asnjë komunikim mes tij dhe Bledi Çuçit tregojnë bashkëpunëtorë të afërt të kreut të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm me bekimin e Edi Ramës e quan tashmë çështje të mbyllur shkarkimin e Gledis Nanos, mjafton vetëm të pritet mbledhja e qeverisë të mërkurën. Një burim diplomatik i tregoi Lapsi.al se as Gledis Nano nuk ka qëndruar duarkryq këto 48 orë. I braktisur nga Rama dhe Çuçi, dy njerëzit që e graduan në krye të Policisë së Shtetit në një moshë fare të re, ai ka bërë lëvizjet e tij për të penguar shkarkimin.

“Ka kontaktuar me së paku dy seli të rëndësishme diplomatike në Tiranë dhe ka kërkuar këshillim ose ndërhyrje prej tyre”, i tregoi burimi i Lapsi.al pa zbardhur më shumë detaje. Por nëse rikthehesh pas në kohë, në korrikun e vitit të shkuar, Gledis Nano mori një dekoratë të beftë nga amerikanët për arritje profesionale. Krah tij në selinë e rrugës së Elbasanit pozonte edhe ambasadorja Yuri Kim. Ishte një lloj mbështetje për t’i shtruar rrugën në krye të Policisë së Shtetit.

Në këtë kuptim, nëse flasim për seli diplomatike të interesuar që Gledis Nano të mos shkarkohet, të parët të interesuar me siguri që janë amerikanët. Dihet që ai ka bërë dhe një kurs të rëndësishëm në SHBA tek e njëjta shkollë ku përgatiten oficerët e FBI, si dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht kur drejtonte Antiterrorin. Kush është palë tjetër e interesuar nga ndërkombëtarët nuk dihet me siguri, por kujtojmë se në këto 10 muaj në detyrë Nano ka bërë vizita zyrtare në Londër, Berlin, Telaviv e Washington.

Pyetja që shtrohet tani është nëse dikush prej tyre do të ndërhyjë fort tek Edi Rama për të mos e shkarkuar apo jo? Por edhe nëse ndërhyjnë, a do ta pranojë Rama një drejtor policie që nuk është plotësisht në hyqmin e vet? Një drejtor që sfidon Ministrin e Brendshëm ndoshta e pranon, por të sfidojë vetë Kryeministrin kjo duket gati e pamundur. Gjasat janë të pakta që Gledis Nano t’i shpëtojë shkarkimit. Me ikjen e tij Rama shkarkon njëkohësisht edhe një barrë përgjegjësie të shumë ngjarjeve kriminale që kanë tronditur opinionin publik këtë verë, ngjarje që tregojnë gjithashtu se sa e rëndë është situata.

Por ndërkohë që ka filluar numërimi mbrapsht, edhe mediat pranë qeverisë kanë nisur sulmet ndaj Gledis Nanos. Top Channel në edicionin qëndror të lajmeve i numëronte kreut të Policisë së Shtetit 45 viktimat nga vrasjet e këtij viti si dhe theksonte se “Gledis Nano nuk e ka kaluar provimin”. Nga ana tjetër, “Albanian Post” që ka bërë fakt të kryer edhe eleminimin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, shkruan sot gjithashtu se Gledis Nano do të shkarkohet duke theksuar ndër të tjera edhe një arsye përtej atyre që janë thënë përgjatë këtyre dy ditëve si kriminaliteti në rritje dhe përplasja me Ministrin e Brendshëm.

“Shkak i largimit të Nanos vetëm 11 muaj pas marrjes së detyrës si kreu i Policisë së Shtetit është rrjedhja e informacioneve konfidenciale me interesa shtetërore”, shkruan AP pa zbuluar më shumë detaje.

Cilado qoftë arsyeja e shkarkimit, vendimi që do të mësojmë nesër nuk premton që të rregullojë ndonjë gjë të madhe në radhët e Policisë së Shtetit edhe me drejtuesin e ri që do të pasojë Gledis Nanon, për aq kohë kohë sa kjo strukturë përgjatë qeverisjes së Edi Ramës nuk është çliruar nga kthetrat politike të partisë-shtet dhe drejtuesit e saj me lidhje okulte me krimin e organizuar.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej