Avokati i njohur Altin Goxhaj, kryetar i Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, njëkohësisht dhe organizator i takimeve të “Foltores”, ka thelluar edhe më shumë aferën e madhe të Portit të Durrësit duke nxjerrë në dritë fakte të rënda dhe pazare të fshehta politike pozitë-opozitë. Ndryshe nga denoncimet e fundit nga politikanë dhe media, lidhur me procedurat apo kompanitë fantazmë që kanë dalë në skenë, Goxhaj ka treguar përfshirjen në këtë skandal edhe të “Foltores”, për më tepër njeriut më të besuar të Sali Berishës, Belind Këlliçi, kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Avokati i njohur, në një reagim në rrjetet sociale ditën e djeshme zbuloi se Këlliçi është i përfshirë familjarisht në aferën e Portit të Durrësit.
Ai hedh dyshime për një lëvizje misterioze të vëllait të tij Reshard Këlliçi, duke kërkuar të shpjegohet roli i kompanisë ligjore Frost & Fire Consulting lidhur me kontratën që është firmosur me Muhamed Alabar, themelues i Emaar Group dhe pse Reshard Këlliçi fshiu disa ditë më parë profilin e vet nga Linkedin dhe vetë kompania e tij ligjore zhduku të dhënat nga Linkedin. Goxhaj shkruan se mban përgjegjësi ligjore lidhur me këtë denoncim për lidhjet e “Foltores” me Portin e Durrësit.
Si i nxori zbuluar Balluku në Komision?
Avokati e mbështet skandalin e krahut të djathtë të Sali Berishës, Belind Këlliçi me deklaratat e zv/kryeministres njëherazi dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e cila foli pak javë më parë në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mbi marrëveshjen e Portit të Durrësit. Teksa Balluku iu përgjigj “Foltores” duke thënë se akuzat e tyre për këtë projekt të madh janë të turpshme dhe se prishin imazhin e Shqipërisë, nën rreshta ajo i demaskoi.
Balluku iu drejtua “Foltores” se ata e dinin mirë që njerëzit e tyre ishin avokatët ligjorë të marrëveshjes. “Për punën serioze në të cilën është bërë në këtë kontratë janë kolegët tuaj, janë njerëz të cilët kanë punuar seriozisht, janë të angazhuar me kontratë. Kur pasdite uluni nëpër tryeza me kolegët tuaj dhe ju thonë që po e bëni kot këtë luftë se ajo është kontrata më e mirë që ka bërë Shqipëria. Ju e dini shumë mirë”, është shprehur Balluku. Pra, sipas Goxhajt mesazhi indirekt për “Foltoren” ishte se dhe ata janë në dijeni se në këtë projekt është përfshirë familjarisht dhe Belind Këlliçi.
Por çfarë e lidh familjen e Belind Këlliçit me qeverinë?
Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pas publikimit të listës së pagave, Reshard Këlliçi rezultoi i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra. AlbGaz është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku.