Pas SHISH-it, Edi Rama ‘fut në dorë’ edhe Shërbimin Sekret të Ushtrisë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka publikuar konsultimin e një projekt-ligji për ndryshime në Ligjin Nr. 65/2014 “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes“, dorëzuar paraprakisht në Kryeministri dhe te Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ndër ndryshimet e tjera në nenin 9, është ky: Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, do emërohet e shkarkohet nga kryeministri Edi Rama dhe do jetë në vartësi direkte të tij, ndërsa me ligjin aktual emërohet nga Ministri i Mbrojtjes, por me ndryshimin e propozuar, Niko Peleshi ia heq këtë kompetencë vetes dhe ia kalon “Sulltanit”.

Themi që propozimi i Nikos është urdhëruar nga Edi Rama, me qëllim që ashtu si SHISH-in, do komandojë e kontrollojë dhe Shërbimin Sekret të Ushtrisë, i cili është një strukturë speficike me disa detyra të zgjeruara që tejkalon edhe pozicionin e kryeministrit.

Por Edi Rama, për interesa që i di vetëm ai, ka menduar ta ketë edhe shefin e kësaj strukture, në vartësi me emërim, shkarkim e raportim informacionesh, ndryshe nuk do inskenonte ndryshimin ligjor; në të kundërt, të mos e kalojë për votim në qeveri e parlament.

Më parë, Kreun e Shërbimit Sekret të Ushtrisë e përzgjidhte dhe e emëronte Ministri i Mbrojtjes, me miratim nga Këshilli i Mbrojtjes dhe dakortësi të Këshillit Rajonal të NATO-s.

Sepse Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, është autoriteti që përfaqëson strukturat e inteligjencës ushtarake shqiptare, në marrëdhëniet me institucionet brenda vendit, me NATO-n, BE-në dhe organizmat e partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me të cilët shkëmben informacione “Top sekret”.

Ndërsa tani, vërtetë që veprimtaria e tij do miratohet nga Ministri i Mbrojtjes, por raportet do kalojnë fillimisht te kryeministri, pastaj te ministri e në fund të Presidenti i Republikës sa për protokoll, paçka se Presidenti është Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe i Sigurisë Kombëtare.

Skandal është fakti, se Shefit të Shtabit të Ushtrisë, i hiqet e drejta të marrë pjesë në krijimin e njësive, qendrave dhe aktivitetin e shërbimit të Inteligjencës e Sigurisë së Mbrojtjes dhe e informacionit, duke ia lënë kompetencën drejtorit, ministrit e kryeministrit.

Pas gjoja konsultimit publik, projekt-ligji do kalojë formalisht në qeveri, në Komisionin e Mbrojtjes e Sigurisë dhe do votohet nga deputetët, por gjithçka do jetë procedurë fiktive, mbasi propozimin për këtë ndryshim nuk e ka bërë Niko Peleshi, por e ka urdhëruar Babloku./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej