Pazar në SPAK me dosjet e ‘peshqve të mëdhenj’, shtyhen arrestimet “VIP” pas zgjedhjes së kryetarit të ri

Drejtësia e 30 viteve, ka puthur dorën që ka “kulaçin e kërbaçin”/ Iku dhe kjo vjeshtë me konferenca e spërdredhje të Arben Krajës dhe prokurorëve specialë, të cilët do betohen se pranvera 2023 do jetë e hidhur për krye hajdutët e politikës dhe të fortët e lidhur me ta, por meqë ka zgjedhje e duhet stabilitet, do dalin e do thonë përsëri: Dosjet e Ramës, Berishës, Metajt, Beqjes, Mediut, Rulit, Imamit e të tjerëve, do shtyhen për vjeshtën tjetër

Në këto 2 muaj e gjysmë të fundit të këtij viti, SPAK duket se nuk do t’i godasë autorët e krimeve ekonomike e ç’njerëzore, si CEZ-DIA, kompleksi “Partizani”, Landfillet, PPP-të në shëndetësi, Gërdeci, 21 Janari etj.

Me një pazar të heshtur, 25 prokurorët dhe hetuesit e SPAK, kanë vendosur që deri më 31 dhjetor 2022, t’i lënë në heshtje këto dosje të rënda kriminale që kanë për autorë politikanë të lartë.

Me këtë marrëveshjes, në shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe detyrimit për të kryer detyrën, shefi i SPAK, Arben Kraja dhe vartësit e tij, kanë rënë dakord si në “gjueti derrash”, që deri në fund të vitit, të mos dorëzojnë asnjë procedim për gjykime e urdhër arresti.

Jo për qytetarët e thjeshtë, sepse më këta SPAK do plotësojë evidencat e bilancit 3-vjeçar, për të treguar se ka goditur ashpër e masivisht krimin dhe korrupsionin.

Por do bllokohen vetëm dosjet e pushtetarëve dhe politikanëve “VIP”, familjarëve, ortakëve e të fortëve të tyre, ndaj të cilëve ka kallëzime penale e kanë nisur hetimet për afera korrupsioni, trafiqe, pastrim parash e vrasje.

“Bejlerët” e SPAK, bllokimin e kanë bërë me justifikimin, se  gjatë muajve tetor-dhjetor SPAK është në proces zgjedhor dhe ri-formatim të stafit, proces që sipas tyre, dikton pezullimin e veprimeve për të çuar dosjet në gjykatë, për të ndjekur seancat e arrestimet.

Këtë broçkull nuk e beson askush, prandaj bëhet pyetja logjike e morale për SPAK-un:

– Pse bllokimi i veprimeve penale, po bëhet vetëm për dosjet e krimeve me autorë pushtetarë e politikanë të lartë dhe familjarë, ortakë e trafikantë të tyre, si CEZ-DIA, kompleksi “Partizani”, Landfillet, PPP-të në shëndetësi, Gërdeci, 21 Janari, kullat etj?

Me këtë pazar të heshtur në zyrat e SPAK, iku dhe kjo vjeshtë me konferenca e spërdredhje të Arben Krajës e vartësve të tij, të cilët deri tani, janë gjunjëzuar hapur para pushtetarëve.

Siç është rasti i mos-thirrjes së Edi Ramës, Erjon Veliajt e Arben Ahmetajt për landfillet; i Sali Berishës e dhëndrit të tij për kompleksin “Partizani”, dhe i çiftit Metaj- Kryemadhi për lobimet e operacionet plastike.

Në janar, me shefin e ri në krye, që do jetë njeri prej tyre, “trimat” e SPAK, do përbetohen se pranvera 2023, do jetë e hidhur për krye hajdutët e politikës dhe të fortët e lidhur me ta.

Kështu qoftë, por ka gjasa që nga fillimi i pranverës, do dalin e do thonë: – Meqë ka zgjedhje e duhet stabilitet, dosjet e Ramës, Agaçit, Berishës, Metajt, Mediut, Beqjes, Rulit, Imamit e të tjerëve, do shtyhen për vjeshtën tjetër.

Kështu është shtyrë prej 30 vitesh, paprekshmëria e kollarexhinjve  që kanë në dorë “kulaçin” dhe “kërbaçin” ndaj shefave e zyrtarëve të drejtësisë./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej