“Një ditë e zezë për drejtësinë dhe demokracinë”, kështu e ka cilësuar deputeti Oerd Bylykbashi vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës për ta rikthyer çështjen e “vulës” së PD-së për rigjykim në Shkallën e Parë.
Vendimi, që do të thotë se PD-ja zyrtare i mbetet grupimit të Enkelejd Alibeajt, sipas Bylykbashit është “vrasje e pluralizmit” dhe “e demokracisë shqiptare”.
Bylykbashi tha se vendimi është marrë nën presionin e kryeministrit Edi Rama ndërsa thumboi edhe prezencën e përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së, duke thënë se “presioni ishte sot prezent në sallën e gjyqit”.
“Nuk ka asnjë lloj ekuivoku, ky vendim i sotëm i marrë haptasi nën presionin e Edi Ramës. Ishte edhe sot në sallë presioni mbi gjykatën. Është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet. Është një vendim që haptazi ka thyer çdo rregull, duke pranuar ankimin e një pale që nuk përbën as minorancë, por i ka shërbyer vetëm një qëllimi, që përballë Edi Ramës të mos ketë opozitë.
PD ka treguar vullnetin e qartë për të mos qenë palë e Edi Ramës, sot gjykata me këtë vendim 11 dhjetorin, të gjithë përpjekjen me votë të anëtarëve, dhe me këtë vendim sot, një vendim që shënon një ditë të zezë për drejtësinë, ka vendosur një precedent, me vendim gjykate u vra pluralizmi. Gjykata provoi që ka rënë përfundimisht nën thundrën e Edi Raëmës”, deklaroi Bylykbashi në përfundim të seancës së Apelit.
Rikthimi në Shkallën e Parë, do të thotë se çështja tashmë do të vonojë përtej afatit të KQZ-së për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet vendore të 14 majit. Përfaqësuesi ligjor i grupimit të Alibeajt, Indrit Sefa tha se PD-ja do të regjistrohet një orë e më parë në KQZ.