Plani “blitz”: Meta e Berisha, miliona për të marrë Bashkinë e Tiranës

Suksesi i arritur në fitoren e Bashkisë së Shkodrës, i ka dhënë një kartë edhe më shumë në dorë Sali Berishës dhe Ilir Metës, megjithatë, thelbi i të gjithave është se ata nuk kanë komoditetin të presin. Luftojnë për gjithçka, pasi nëse do të nisin hetimet ndaj tyre, do t’u bllokohen pronat.

Ndërsa Sali Berisha po bën të gjitha përpjekjet për të marrë pjesë sa më të madhe nga Partia Demokratike e për të konsoliduar fuqinë në degë, objektivat e përbashkëta i ka me Ilir Metën.

“Shtëpia e Lirisë”, subjekti elektoral që u shfaq më 6 mars do të vijojë të jetë poli politik i dy dinozaurëve, me objektivin që të zënë me forcë vendin e dytë të politikës shqiptare. Edhe pse të goditur nga Perëndimi, shpejt pritet të vijë edhe mandata ndaj Ilir Metës, të dy njerëzit më të pushtetshëm të 3 dekadave nuk kanë ndërmend të ndalojnë. E siç mësohet, sa më të paprekur të jenë nga SPAK, avancimi i tyre do të ketë një shtysë më të madhe, duke hedhur miliona euro për të arritur të marrin pjesë të rëndësishme, për tu imponuar si forcë e dytë politike.

E siç ndodh në këto raste, për të arritur diçka do të duhet të synohet lart dhe gjëra të mëdha. Pas marrjes së Bashkisë së Shkodrës, të cilën do ta mbrojnë fort një vit më pas në zgjedhjet e përgjithshme vendore, “Shtëpia e Lirisë” do të synojë edhe kryeqendrën e vendit- Tiranën.

E për këtë post është piketuar as më pak e as më shumë: vetë Ilir Meta. Ai ka urdhëruar të gjithë LSI-në që të nisin që tani punën në terren për të ngritur struktura e rekrutuar njerëz. “Paratë nuk do të mungojnë, premtoni sa më shumë se do të bëjmë gjithçka për të fituar”, mësohet të ketë thënë Ilir Meta në një takim të ngushtë me shtabin që ka ngritur në kryeqytet.

Pak ditë më parë, u duk si jashtë kohe një postim i Monika Kryemadhit, por që realisht ka një plan të përcaktuar me detaje. “Organizimi i LSI për zgjedhjet vendore 2023 do të nisë nga Bashkia Tiranë, e duke vijuar me të gjitha Bashkitë e Shqipërisë. Kam marrë një ndjesi shumë pozitive nga njerëzit që kam takuar përgjatë Shqipërisë në këto muaj, një energji të jashtëzakonshme që s’ishte ndjerë prej kohësh. Kjo është energjia e frymës që krijon një opozitë e vërtetë. Qytetarët në të gjithë vendin janë të lodhur me situatën aktuale dhe kërkojnë një alternativë. LSI është alternativa dhe duhet ta jetësojmë këtë përgjegjësi që kemi si forcë politike”, shkroi Kryemadhi.

Ndërkaq, vetë Ilir Meta ka nisur ngacmimet për të dhënë idenë se ai është në fushë të betejës. Meta, në pjesën më të madhe të deklarimeve ka pasur si shënjestër kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, që e quan me shpoti “Zogu i Tiranës”. Një frazë që u ka pëlqyer shumë të gjithë atyre që u ka ardhur në majë të hundës me lalin, por edhe opozitarëve radikalë.

Plani është i qartë: synon të godasë kandidatin numër 1 për pasardhës të Edi Ramës, duke përfshirë në lojë një aleancë fluide në distancë me kundërshtarët e Erion Veliajt nga brenda PS-së, por edhe klasa e sipërmarrësve, që janë të shumtë.

Meta ka nisur që tani takimet, duke u bërë të ditur se plani është jo vetëm serioz por “për jetë a vdekje”. “O e marr bashkinë ose shkoj me duart e mia atje”, mësohet të ketë thënë për të ilustruar vendosmërinë e tij në një betejë që parashikohet të jetë e fortë.

Plani është që të polarizohet sa më shumë situata, në mënyrë që fushata të përqendrohet tek figura e Erion Veliajt dhe korrupsioni i qeverisë së PS-së. Loja pritet të bëhet shumë e rëndë, ku i është kërkuar biznesit të ndërtimit dhe mediave të mëdha që të mbështesin Ilir Metën. Ndryshe, i ka kërcënuar se do t’i sulmojë deri në shkatërrim.

Suksesi i arritur në fitoren e Bashkisë së Shkodrës, i ka dhënë një kartë edhe më shumë në dorë Sali Berishës dhe Ilir Metës, megjithatë, thelbi i të gjithave është se ata nuk kanë komoditetin të presin. Luftojnë për gjithçka, pasi nëse do të nisin hetimet ndaj tyre, do t’u bllokohen pronat. Ndaj edhe si te filmi “Përballimi”, kur i jep lopës drithë sa të fryhet me batutën: ha bir ha, më mirë ti se ata”, edhe Meta e Berisha kanë transferuar asetet milionëshe nëpër emra të ndryshëm për t’i përdorur në betejën e fundit. Siç thotë vetë kandidati i ardhshëm për Bashkinë e Tiranës: “O fitore o vdekje”. Po sa do e pranojnë njerëzit që njeriu që ka pasur gjithë postet e larta të këtij vendi të marrë edhe atë të kryebashkiakut të Tiranës? Inati, por edhe dashuria, në fund të fundit kalon nga stomaku… /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej