Qeveria shqiptare urdhëroi përmes një akti normativ institucionet publike të mos ndezin kondicioner në verë nëse temperatura nuk është më e lartë se sa 27 gradë si dhe në dimër, në rast se ajo nuk është më e ulët se sa 21 gradë, nën kërcënimin e gjobave në masën 50 mijë lekë për drejtuesit e institucioneve. Akti normativ mban datën 5 tetor, por ai u dorëzua për shqyrtim parlamentar vetëm të martën më 18 tetor, praktikisht mbi dy javë pas hyrjes në fuqi.
Akti normativ është një instrument ligjor të cilin qeveria ka të drejtë ta përdorë në kushtet e emergjencës dhe që hyn në fuqi menjëherë para se t’i nënshtrohet shqyrtimit parlamentar.
Akti normativ urdhëron të gjitha institucionet publike të kursejnë 15% të sasisë së energjisë që kanë konsumuar në të njëjtin muaj të një viti më parë si dhe krijon një grup pune për të kryer inspektime dhe për të vendosur masë ndëshkimore gjobë prej 50 mijë lekësh për drejtuesin që nuk arrin të kursejë. Çdo institucion duhet të emërojë një të ashtuquajtur “administrator energjetik”, i cili do të ketë për detyrë të mbajë një inventar të pajisjeve që konsumojnë energji elektrike në institucion dhe të kujdesen që masat shtesë të zbatohen.
Ndriçimi rrugor do të ndërpritet pas orës 22 dhe po kështu edhe ndriçimi i jashtëm i objekteve të trashëgimisë kulturore.
Qeveria ka autorizuar veten e vet përmes këtij akti normativ që të marrë masa kursimi nga subjektet jopublike jofamiljare, pra bizneset, por këto masa nuk dihet se cilat janë.
Qeveria thotë se një program i saj për pajisjen e familjeve shqiptare me panele diellore për prodhim uji të ngrohtë, mund të sjellë kursime prej 3 milionë kËh në vit përmes subvencionimit nga taksapaguesi të këtyre pajisjeve. Panelet diellore për ujë të ngrohtë janë pajisje që kushtojnë 500-1500 euro për familje dhe instalohen nga familjet që kanë çati apo taracë. Kjo është një teknologji që përdoret nga shqiptarët sakaq gjithkund por qeveria mendon se ka nevojë për nxitje të mëtejshme.