Plani i Turqisë për t’i dhënë fund krizës: 20 milionë tonë drithëra të Rusisë dhe Ukrainës do shpërndahen nga Stambolli

Rreth 20 milionë tonë grurë dhe fara luledielli nga Rusia dhe Ukraina pritet të shpërndahen në tregjet globale falë një mekanizmi të qendrës komanduese që është planifikuar të formohet në Stamboll të Turqisë.

Si rezultat i diplomacisë intensive të Turqisë për të siguruar paqen që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB) është përgatitur një udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës globale të ushqimit që u shfaq për shkak të luftës së vazhdueshme.

Detajet e udhërrëfyesit do të diskutohen në ditët e ardhshme në një takim që do të mbahet me pjesëmarrjen e Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe zyrtarëve të OKB-së. Në takimin katërpalësh do të vlerësohen çështjet si rruga, sigurimi, siguria e anijeve dhe në veçanti pastrimi i minave detare në rajon.

Të hënën, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi telefonata të ndara me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ku diskutoi luftën në Ukrainë dhe çështjet rajonale.

Në bisedë telefonike, presidenti Putin theksoi se Rusia është e gatshme të lehtësojë dërgesat e ngarkesave në koordinim me partnerët turq, përfshirë dërgesat e grurit nga portet ukrainase.

Ndërsa në bisedën me presidentin ukrainas, Erdoğan theksoi se Turqia i kushton rëndësi të veçantë projektit të krijimit të një korridori të sigurt për eksportin e produkteve bujqësore të Ukrainës nga deti.

Erdoğan po ashtu theksoi se ata kanë pikëpamje pozitive për të marrë pjesë në qendrën komanduese që do të krijohet me pjesëmarrjen e palëve dhe OKB-së dhe për jenë nikoqire e qendrës në Stamboll.

Burimet diplomatike për Anadolu Agency, raportuan se Putin dhe Zelenskyy e shohin si pozitiv bashkëpunimin për krijimin e një “korridori të drithërave”.

Me mekanizmin që edhe pala ukrainase dhe ruse afrohen pozitivisht, pritet të pastrohen minat rreth porteve në Detin e Zi dhe rezervat e drithërave të arrijnë të sigurta në tregjet e huaja. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, njoftoi në Arabinë Saudite se ata ranë dakord me presidentin Erdoğan për pastrimin e minave në portet e Ukrainës.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej