Po vjen koncesioni që gllabëron që 4.5 milionë euro në vit

Nga Klodian Tomorri

Ka një postulat tashmë të konsoliduar në Shqipëri. Pas çdo koncesioni ka një aferë të ndyrë. Dhe koncesioni i radhës është një fëlliqësire e madhe korruptive, që u merr qytetarëve shqiptarë të paktën 4.5 milionë euro në vit.

Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për të dhënë me koncesion monopol tek privati, infrastrukturën e çelësave publikë. Ndonëse për shumicën e qytetarëve, ky mund të jetë një term i pakuptueshëm, historia është shumë e thjeshtë.

Ligjet në fuqi detyrojnë çdo biznes që lëshon faturë, të pajiset me certifikatë elektronike. Kjo certifikatë sot prodhohet nga AKSHI dhe biznesi e paguan 4 mijë lekë ose rreth 35 euro në vit. Tashmë ky shërbim do t’i kalojë një kompanie private me koncesion.

Tani dy llogari të thejshta. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 162 mijë biznese aktive, nga të cilët minimalisht kanë detyrimin për t’u pajisur me certifikatë elektronike 130 mijë biznese. Kjo do të thotë se ky është një koncesion që garanton 4.5 milionë euro të ardhura në vit që tani.

Por pse e gjitha kjo është një aferë shumë e madhe? Në Kroaci, një nga vendet e pakta në rajon që zbaton fiskalizimin ashtu si Shqipëria, certifikata elektronike gjenerohet nga Ministria e Financave. Kostoja me të cilën ajo u shitet bizneseve është 60 kuna ose 8 euro në vit. Pra 4 herë më pak se në Shqipëri.

Pra nëse bizneset shqiptare do ta blinin certifikatën elektronike me koston që e blejnë bizneset kroate, do të paguanin në total 1 milionë euro në vit. Por për shkak të çmimit abuziv do të paguajnë 4.5 milionë euro në vit. Pra 3.5 milionë euro në vit është fatura e pazarit, që do të ndahet mes atyre që po bëjnë koncesionin dhe atij që po e merr.

Deri më sot bizneset e kanë paguar çmimin abuziv për llogari të AKSHI-t. Në një farë mënyre ky ka qenë një subvecionim i një ndërmarrje publike, ndonëse AKSHI paratë i shpenzonte në tendera që shkonin në një rreth të ngushtë kompanish me lidhje nepotike në majën më të lartë të qeverisë. Tani paratë do të merren drejtëpërdrejtë në llogari, pa qenë nevoja e tenderave.

Megjithatë ka dhe diçka tjetër. Të gjitha llogaritë e mësipërme janë bërë vetëm për bizneset, që sot kanë detyrimin ligjor për t’u pajisur me certifikatë. Modeli i tregut dhe korpusi i ligjeve të miratuara parashikon që nesër detyrimi për t’u pajisur me certifikatë elektronike ta kenë edhe qytetarët për çdo aplikim që ata bëjnë në institucionet e shtetit. Potenciali i këtij koncesioni është të arrijë deri në 10 milionë euro në vit.

Tani është e qartë se sa biznes i madh është ky. Mbetet vetëm për t’u mësuar se kush do të jetë përfituesi. Me shumë gjasa ndonjë nga vampirët e zakonshëm.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej