Menjëherë pasi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi se Kuvendi i Shqipërisë do të adresojë gjatë sesionit të ri që fillon në shtator një nen i cili ndalon që të jenë në politikë anëtarët e Partisë Komuniste, kanë ardhur edhe reagimet e para nga foltorja e Sali Berishës.
Deputeti Tritan Shehu thotë se deklaratat e Taulant Ballës janë fushekzjarre për të zhvendosur vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë Rama.
“Taulanti hedh gjithmonë fishekzjarre, kërkon të heqë vëmendjen nga incineratorët, shkatërrimi ekonomik, korrupsioni, afera e portit të Durrësit, nga ajo që Shqipëria po zhytet gjithmonë e më tepër në varfëri.
Kërkon të tërheqë vëmendjen dhe nga lëvizja popullore e cila po ngrihet dhe do të ngrihet përherë e më e fortë në Shqipëri. Të mos merremi me të tilla gjëra”, tha ai për Ora News.
I pyetur nëse kanë frikë se PS mund të mbledhë votat për të nxjerrë Berishën jashtë Parlamentit, Shehu tha se ai apo dhe ndonjë deputet tjetër i opozitës edhe mund të arrestohet.
“Ndonjë ditë dhe mund të arrestohen deputetë e opozitës, po shkojmë drejt një diktature. Jemi në pragun e viteve ’45. Problemet dhe rreziqet janë për demokracinë shqiptare, jo për individët.
Këto përballohen vetëm me lëvizjen popullore. Ky regjim shembet, përballet, bllokohet vetëm me lëvizje popullore”, u shpreh Shehu.
Dje Taulant Balla në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së tha se është “situatën e papranueshme dhe absurde se si një sekretar partie dhe njeri i afërt me udhëheqjen e diktaturës komuniste, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij”, duke iu referuar Sali Berishës.