Partia Socialiste thotë se lista me emra e publikuar mbrëmjen e djeshme është manipuluar dhe fabrikuar qëllimisht për të hedhur baltë mbi këtë forcë politike. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Abi Malltezi ka denoncuar aplikacionin “Aktivisti”.
Sekretari Digjital i PS Etjen Xhafaj, është shprehur se socialistët do të ndjekin rrugën ligjore, pasi personat e pretenduar se janë prokurorë, gjyqtarë apo dhe administratë, nuk janë në listat e tyre dhe ata nuk kanë një databazë të tillë.
“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.
Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, thuhet në njoftimin e PS.