Pse Ilir Metës po i shembet toka nën këmbë?!

Përplasja fatale Rama-Meta është një rast i artë për të shpërthyer të gjitha ujërat e zeza të politikës 30-vjeçare, në formë akuzash e sulmesh, që natyrisht do të bëjnë aq pis kastën e vjetër, sa nuk do të ketë ujë që t’i lajë më…

Ilir Meta e ka pritur goditjen pas largimit nga Presidenca, ndaj edhe ka nxituar të marrë partinë e tij të shkatërruar, e më pas ta shndërrojë në një “Agim të Artë” shqiptar.
Por sipas të gjitha gjasave, ish-presidenti nuk e ka menduar se goditja do t’i nisë nga ajo dosje e vjetër, që ka të bëjë me periudhën përpara se Ilir Meta të hyjë në politikë.
Duket qartë se kemi të bëjmë me një plan të mirëpërgatitur në heshtje dhe me djallëzi nga Edi Rama dhe këshilltarët e tij të huaj, prej kohësh.

Gjithçka, duket se është hartuar herët, e ka shumë gjasa edhe me plane rezervë, taktikë që do të përdoret sipas kohës dhe rrethanave.

Metës, po i kthehet mbrapsht gjithë ai zullum që ka fshehur nëpërmjet arritjes së tij në postet më të larta të vendit, dhe krijimit të një rrjeti njerëzish, por hapja e çështjes së dosjes së sigurimit, duket se bëhet thjesht për ta goditur që në fillim fort dhe aty ku nuk e ka pritur.

Në ditët në vazhdim do të shikojmë të tjera zhvillime, edhe më të forta, ku sipas të gjitha gjasave, do të kemi daljen publike të pjesës më të madhe të dosjes korruptive të Ilir Metës, e cila ka mbërritur nga jashtë.

Natyrisht, këtë e ka marrë përsipër Edi Rama, i cili e di se kjo është edhe beteja fatale e tij. Siç mësohet, planet, Rama i ka bërë që të mos i lërë kohë të marrë frymë Ilir Metës. Pasi përndryshe, nëse ja hedh këtë betejë, atëherë ai jo vetëm fiton, por rehabilitohet.
Por, natyrisht, kjo nuk do të thotë që Meta do të rrijë duarkryq e të presë lëvizjet e Edi Ramës.

Sipas gjasave, ai do të godasë fort e pa mëshirë. E publiku do të asistojë me një përplasje aq të madhe, ku do të dalin të palara gjigande. Një atmosferë, që natyrisht do të diskretitojë thuajse të gjithë klasën e vjetër politike shqiptare. E ku SPAK, nëse e ka seriozisht, do të ketë aq shumë material për të hetuar baronët e korrupsionit shqiptar, sa mund t’i lërë gjithë jetën prapa hekurave.

Por ngaqë po flasim për Ilir Metën, mësohet se policia ka zbuluar se ai ka arritur deri edhe në rekrutimin e njerëzve të armatosur, për të kryer vrasje të personave që ai i konsideron të rrezikshëm, apo edhe përgatitjen e akteve terroriste.
Arrestimi i disa ish-policëve me armë snajper gati për të kryer vrasje, është vetëm fillimi i një plani që duket është zbuluar falë agjencive inteligjente të vendeve perëndimore. Të cilët, pas nxjerrjes së dosjes së Sigurimit të Shtetit, ka shumë gjasa që të hedhin në opinion edhe bombën e radhës, që ka të bëjë me kontaktet me shërbimet sekrete të vendeve armike të NATO-s.

Marrja e vendimit nga Kuvendi për të amenduar ligjin e pastërtisë së figurave publike, do të çojë që jo vetëm Ilir Meta, por edhe 7 emrat e tjerë të politikës që ndodhen në listë, të cilët janë amnistuar nga komisionet “Mezini” e “Bezhani”, të ndalohen për të kandiduar për poste të larta.

E pas këtij vendimi, duket se do të provokohet “ferri”, ku mund të përjetojmë tensione shumë të larta politike, deri edhe protesta të dhunshme. Por duket se Rama e ka parashikuar këtë hap, thjesht po pret një veprim nga Meta, i cili duhet thënë se nuk është aspak budalla.

Do të mundohet me të gjitha mundësitë të mos bjerë në kurthin e kryeministrit, i cili pret akte dhune për ta arrestuar ish-presidentin. Gjithsesi, favori për publikun është se mund të krijohet një rast i artë për të shpërthyer të gjitha ujërat e zeza të politikës 30-vjeçare në formë akuzash e sulmesh, që natyrisht do të bëjnë aq pis kastën e vjetër, sa nuk do të ketë ujë që t’i lajë…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej