Pse nuk dua/mundem të jetoj në Shqipëri

Nga Ana Shkreli Lisi

Ja pse jetesa në Shqipëri është bërë e pamundur:

1 – Që pa gdhirë, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, hynë si pushtues triumfatorë në ambientet e Ora News dhe deklaruan: Nga sot, Ora News e kemi ne!

O të keqen e drejtësisë!

Ylli Ndroqi mund të jetë vërtet i paudhi që Prokuroria deklaron, por provat ku janë? Pastaj, pse u kujtua kjo palo drejtësi për Ylli Ndroqin, pikërisht në momentin kur ai bëri sherr dhe u prish me Erion Veliajn. Ylli Ndroqi aty ishte, ka vite që punon dhe investon në Tiranë. Pse priti drejtësia kaq shumë? A ka moral kjo drejtësi të bëjë si e fortë me Ylli Ndroqin pas publikimit të sms-ve mes tij dhe Erion Veliajt? Pse nuk i hodhi një sy SPAK edhe dosjeve të Erionit që Ylli Ndroqi i denoncoi ne televizionin që i sekuestruan dje?

2– Edi Rama, bash Kryeministri i Shqipërisë ka ditë që merret me Top Channel, një nga 3 televizionet kombëtare në Shqipëri. Pasi 9 vjetësh lëpirje, Top-i, për disa arsye që do të zbardhen në vazhdim, u kujtua për realitetin shqiptar dhe nga lëpirja, nisi kronikat me të vërtetat shqiptare si, emigrimi masiv, kriza, çmimet, arsimi etj. Një tjetër marrëdhënie e prishur. Çfarë bën kryeministri? Pse duhet të reagojë Kryeministri për kritikat e Top-it hajde merre vesh, por Edi Rama jo vetëm që reagon, por poston një javë rresht në Twitter

 arsye/dokumente që sipas tij vërtetojnë se Top Channel bën shantazh.

Shantazh? Kryeministrit? Qeverisë? Po ku jemi këtu, si iu bëka kaq kollaj shantazhi në këtë vend? Kur i bëhet kaq thjeshtë shantazh kryeministrit, çfarë ndodh me mua, qytetarin e thjeshtë?

3– Edi Rama i hyri me fadromë investimit miliona dollarësh të Irfan Hysenbelliut, kur ky i fundit refuzoi të vazhdonte b*lëpirjen me mediat e veta. I pari tha se Irfani kishte shkelur ligjin duke vjedhur toke e det, ama kur u hapën defteret doli se Kryeministri kish ngrënë e pirë në pronën e ndërtuar duke shkelur ligjin. Njësoj si rasti i Ndroqit, pse u kujtua shteti pikërisht kur mediat e tij nuk po i lëpinin më? Irfani aty ka qenë gjithë këto vite, dhe detin e rërën nuk e hëngri sot, ka vite… Pse pikërisht tani? Kur ia bëjnë këtë njerëzve të fuqishëm si Irfan Hysenbelliu, si mund të  ndihet një njeri i thjeshtë?

4– Edi Rama vazhdon propagandën pa ju dridhur qerpiku, ama shtetit shqiptar ia kanë ulur brekët ka disa javë. Dje u publikuan të dhënat e punonjësve të SHISH. Mund të imagjinohet lehtë çfarë dëmi është ky për një nga institucionet, shtyllë mbajtëse, të sigurisë kombëtare. Çfarë thotë Qeveria? Çudia më e madhe tre ditë do zgjasë…Kur hynë deri në qelizë të SHISH-it, çfarë mund të ndodhë me mua, qytetarin e thjeshtë?!

5 – Hakerat iranianë nxorën ca të palara edhe për Kryeministrin tonë. Nga viti 2013 kur mori pushtetin, z.Rama ka udhëtuar 130 herë me avionë luksi ‘charter’, 33 herë vetëm gjatë 2021. Kostoja e marrjes me qira e një aeroplani Air-bus 319, me të cilin ka fluturuar Rama sa herë ia ka dashur qejfi, është plot 15 mijë euro ora. Bëjini vetë llogaritë… ndërkohë shqiptarët që e paguajnë këtë luks alla mafioz Kryeministrit të tyre, diskutojnë bukën e gojës.

Çfarë bëri Kryeministri Rama? U përgjigj… tha “fajin e kanërublaxhinjtë e politikës dhe gjobaxhinjtë e ekraneve”. Hajde merre vesh!

6– Kryeministri i bën presion çdo ditë qytetarëve shqiptarë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Pasi ua ka vënë lakun në fyt me çmimet e shportës, pasi Bordi i tij luan me çmimin e naftës siç ia do qejfi, radhën e ka energjia. Por çfarë ndodh me energjinë që prodhojmë vetë? Pse nuk u bë kurrë e mundur që Shqipëria ta sigurojë vetë energjinë me gjithë këto burime hidrike që ka? Epo sepse shteti ynë i dashur, e shet energjinë që prodhon kur çmimi është i lirë dhe e blen kur çmimi është maksimalisht i lartë. Hidrocentralet private i bëjnë të njëjtën gjë qeverisë, ia shesin energjinë sa frëngu pulën. Skandalet e KESH janë tepër të mëdha, nëse do të vijë dita për tu zbuluar ndonjëherë. Kur do të përfitoj dhe unë nga taksat që paguaj?

7– Një firmë e importit të bananeve është kompania më e kuotuar për reklama televizive. E sheh në çdo orë të ditës në televizionet kombëtare. Ama dje, për të disatën herë, bananet që importon kjo kompani u kapën bashkë me 33 kg kokainë. Para disa muajsh, e njëjta kompani u kap me banane dhe tonelata drogë të tjera dhe ata që e ndjekin këtë rast, thonë se edhe ky 33 kg që u kap, është pjesë e një trafiku tonelatash. 

Pyetje: meqë nuk e ka për herë të parë, kjo kompania e nuk duhej mbajtur, hetuar,  sekuestruar nga drejtësia dhe jo të shtonte numrin e reklamave në televizione? Pse qarkullon droga kaq lirisht në Shqipëri? Sa të sigurt janë fëmijët tanë?

8–  Skandali i inceneratorëve vlon akoma dhe nëse do të ishim një vend normal qeveria do të kishte rënë me kohë prej tij dhe lloji i Erion Veliajt duhet të ishte në burg. Ama qeveria nuk ka rënë,  për inceneratorët kjo qeveri vazhdon të japë para nga buxheti i shtetit ama në burg shkon gjyshja 82 vjeçare që ndërtoi një kotec pa leje. Për gruan e mjerë, Prokuroria kërkoi dënim me burg… ama kriminelët bredhin lirshëm rrugëve. Jo më larg se pardje u vra një njeri në një nga zonat më të sigurta të banimit në Tiranë, tek e ashtuquajtura Kodra e Diellit!

9– Një 32 vjeçar i vdiq në dorë të forcave policore, të cilat nuk lanë alibi pa hedhur në tregun mediatik, përveç të vërtetës. I ndjeri u bë kriminel, i sëmurë e gjithçka që i shkonte ndër mend policisë, ama vetëm e vërteta jo. Rasti solli ndër mend edhe të tjera të ngjashme. Këtu policia të vret natën, por s’të qan ditën. Të bën kriminel e thotë në deklarata zyrtare që e ke pasur hallall plumbin.

10 – Organizata World Justice publikoi indeksin e zbatimit të ligjit për vitin 2022. E dini cilin vend zinte Shqipëria? Të njëjtë me Republikën Popullore të Vietnamit dhe Belize, një shtet në Amerikën Qendrore me probleme të rënda me krimin dhe drogën. Sondazhe të ngjashme e kanë renditur Shqipërinë në vendet e fundit në listë kur vjen puna për lirinë e fjalës.

Doni arsye të tjera? Janë akoma edhe shumë. Prandaj unë nuk mundem të jetoj në Shqipëri. Dua, por nuk mundem. Kjo qeveri të vjedh bukën, të rreh, të vret, të fut në burg dhe po fole të bën gropën. A jetohet kështu?

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej