Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi u ndalua duke arkulluar me armë zjarri në brez.
40-vjeçari u ndalua në rrugën “Lord Bajron”, gjatë kontrolleve atij iu gjetën dhe dokumente të ndryshme identifikimi.
Pas shoqërimit në komisariat, personi në fjalë u identifikua si shtetasi M.Ç., me banim në Holandë.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Chief”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Lord Bajron”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin M. Ç., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, si dhe disa mjete të ndryshme identifikimi.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Ç., 40 vjeç, banues në Holandë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.