Ajo çka po ndodh ne bregun e Adriatikut, në pronën e Irfan Hysenbelliut është e qartë si drita e diellit. Pavarësisht se është e vështirë ta ndash se ku nis faji i njërit e ku mbaron pafajësia e tjetrit, nuk do shumë mend për të kuptuar se jo shumë kohë më parë të dyja palët ia kanë ndjerë lezetin e shërbimit të paligjshëm sho-shoqit.
I pari, Kryeministri Rama – deri në tetor të këtij viti kur firmosi anullimin e lejes se Prestige Resort – e ka shijuar dhe ia ka vjelur frytet shërbimit të Irfanit. Mediat e këtij të fundit pavarësisht se si ishte realiteti shqiptar, kanë qenë një megafon i çmuar i propagandës së kësaj qeverie.
I dyti, Irfani, në këmbim të shërbimeve të veta ka vjelë nga lëshimet qeveritare përfshirë edhe pronën nën këmbët e Prestige Resort.
Kaq i afërt, afektiv dhe i dashur, besimplotë dhe me të ardhme ka qenë kjo “martesë”, sa Irfan Hysenbelliu, edhe pse ka pasur 6 vjet kohë në dispozicion, nuk e ka marrë mundimin ti plotësojë dokumentet që kërkonte vendimi i KKT. Ai i është gëzuar dhuratës bujare që Edi Rama i ka bërë me atë vendim, buzë detit, dhe zor ta ketë parashikuar këtë që po i ndodh sot. Drekat, darkat dhe dëfrimet me Kryeministrin dhe persona të tjerë me pushtet afër tij, për Irfanin kanë qenë garanci.
Dhe ky është gabimi i biznesmenit. Në këtë moment, investimi shumë-milionësh është hedhur në erë me tritol.
Pikërisht këtu qëndron skandali dhe abuzimi më i madh i kësaj historie. Edi Rama ka marrë hak shumë herë në vendet ku nuk i është shërbyer, por gjithë ky nxitim për të hedhur në erë me tritol një investim që ka kushtuar (siç thuhet), mbi 20 milion dollarë, nuk ishte parë.
Këtu kërma mban erë më fort se zakonisht.
Si fillim, sepse nuk ka asnjë arsyetim bindës që ti japë të drejtë nxitimit të Ramës për të shkatërruar nga themelet investimin e Irfan Hysenbelliut. Natyrisht diçka e fortë ka ndodhur që e ka xhindosur kryeministrin, por çfarëdoqoftë ajo, është një aferë e paligjshme.
Edi Rama ka nxitur dhe ka firmosur në Tetor vendimin për shfuqizimin e lejes për Prestige Resort, sepse nuk ka përmbushur kërkesat e KKT. Deri këtu është në rregull. Po pse nuk mori vendim, fjala vjen ta sekuestronte këtë ndërtim të paligjshëm? Jo më shumë se dy javë të shkuara Kryeministri doli vetë personalisht në rrjetet e veta sociale, live, dhe tha që 11 kulla të ndërtuara pa leje në Tiranë do të sekuestroheshin dhe do të përdoreshin për strehim dhe shërbime të tjera sociale. Nën petkun e njeriut që le kokën për ligjin, Rama dha “ultimatume” për ata që u shkon mendja të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen dhe pavarësisht se të gjithë e dinë se ky është vetëm një show i Kryeministrit dhe se vendime të tilla janë klienteliste, askush nuk i del dot kundër.
Pse pra Edi Rama shkoi kaq larg kësaj here? Pse e shfryu tërbimin duke hedhur në erë një investim 20 milionësh?
Mund të thotë ndokush se këtë IKMT e ka bërë edhe në objekte të tjera buzë detit. Madje-madje çdo fillim sezoni, hedhja në erë e ndonjë hoteli pa leje është spektakli i përvitshëm i qeverisë. Kjo është e vërtetë. Siç është e vërtetë edhe që hotelet që hidhen në erë çdo vit buzë detit janë hotelet e ndonje hallexhiu që nuk e ka dhënë zarfin mjaftueshëm të mbushur në bashkitë respektive dhe, sidomos, nuk i ka shpatullat e ngrohta në Tiranë. Ato që janë hedhur në erë deri tani nuk janë as hotele e as resorte ku Kryeministri është shtruar për dreka e për darka.
Prandaj prishja e aferës mes Ramës dhe Hysenbelliut mban erë dhe nuk paralajmëron asgjë të mirë. Ajo nuk është as e ngjashme me atë të Agon Channel siç rreken ta krahasojnë disa. Asokohe Rama shkatërroi një media në mënyrë arbitrare dhe sot shqiptarët po paguajnë për arrogancën e sjelljes së pushtetit.
Jo! Kësaj here Edi Rama është kujdesur të mbyllë letrat e t’ia presë rrugën e ankesës biznesmenit që ndër te tjera ka edhe media në pronësi. Veçse kësaj here tërbimi i Ramës ka shkuar më larg, ai nuk e ka sekuestruar, ai sot e hodhi në erë investimin e Irfan Hysenbelliut duke krijuar një precedent të rrezikshëm që, më shumë se asnjëherë tjetër, vërteton instalimin e një shteti policor në Shqipëri. Një shteti që kur do, të lë të abuzosh, jo një muaj e dy, por edhe 6 vjet. Ama kur ti nuk i pëlqen më, vjen dhe të hedh në erë me gjithë rrecka./Pamfleti