Rama bën gati ligjin, kultivimin e kanabisit ja beson Krifcës dhe Manastirliut; detajet si do të lulëzojnë parcelat me drogë

Qeveria ka bërë gati ligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor. Pas paralajmërimeve të Edi Ramës pak ditë më parë, tashmë ka një draft konkret, i cili është hedhur sot për konsultim. Ligji përcakton të gjitha procedurat që do të ndiqen për kultivimin e drogës.

Kultivimi i lëndës narkotike i besohet ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Kjo e fundit do kujdeset për pjesën e mbjelljes në fusha, ndërsa ministrja e Shëndetësisë për pjesën e përpunimit dhe përdorimit për arsye shëndetësore.

Ogerta Manastirliu do të jetë ajo që do merret licencat për përpunimin e drogës, ndërkohë që kompanitë që do të licencohen do e kenë të drejtën e aktivitetit për 15 vite.

Ministri përgjegjës për shëndetësinë, me marrjen e njoftimit për subjektit fitues, sipas parashikimeve të nenit 16, brenda jo më vonë se 20 ditëve, paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave, propozimin për dhënien e licencës. Vendimi i këshillit të Ministrave përcakton emrin e subjektin, afatin, sipërfaqen e zhvillimit të aktivitetit. Licenca përmban një përshkrim të aktiviteteve të lejuara të cilat mund të kryhen me subjekte të treta për llogari të mbajtësit të licencës”, thuhet në ligj.

Sipas draftit, fillimisht do krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj. Agjencia është institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji në lidhje me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj.

Pranë Agjencisë krijohet dhe funksionon Komisioni i Licencave, që kontribuon në ushtrimin e kompetencave të Agjencisë në përputhje me rolin dhe detyrat e tyre, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Po ashtu janë përcaktuar dhe kriteret për kompanitë që duan të merren me përpunimin e kanabisit, disa prej të cilave janë: a) të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore; b) ai vetë ose një aksioner i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë: i. ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së; ii. zotërues i GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat). c) të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Kultivimi

Për pjesën e kultivimit do të përgjigjet Ministria e Bujqësisë. Sipas ligjit, pajisja me leje kultivimi i jepet vetëm subjekteve që janë të regjistruar në Regjistrin e Kultivuesve të kanabisit industrial, i cili krijohet dhe administrohet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë.

Çdo fermer që kërkon të kultivojë kanabis duhet të dorëzojë këto dokumente: a) dokumenti i regjistrimit të fermerit, personit fizik ose juridik; b) vetëdeklarim që kërkuesi është i regjistruar në regjistrin e kultivuesve; c) listën e personelit të punësuar ose të nënkontraktuar për të drejtuar procesin e kultivimit nga të cilët jo më pak se 1 agronom, shoqëruar me: i) vërtetim që nuk janë në ndjekje penale; ii) vërtetim se nuk janë në në gjykim për ndonjë vepër penale; iii) dëshmi penaliteti; ç) vetëdeklarim për burimin e financimit të shpenzimeve, etj.

Sipas ligjit, kultivuesit do lejohen të mbjellin deri në 10 hektarë tokë. “Njësia e prodhimit është sipërfaqja e tokës nga 5 deri në 10 ha, në të cilën përfshihen edhe magazina dhe ambientet e tjera të dedikuara vetëm me proceset e lidhura me kultivimin e bimës dhe prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe sipërfaqja jo më e vogël se 1 (një) hektar në të cilën përfshihen edhe magazina dhe ambientet e tjera të dedikuara vetëm me proceset e lidhura me kultivimin e bimës dhe prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabis për qëllime industriale”, thekson ligji.

Po ashtu theksohet se do ketë një grup mbikëqyrje dhe çdo proces për lëvizje të produkteve, farërave etj. Duhet të bëhet me leje të veçantë. Megjithatë edhe ky ligj ngre një sërë pikëpyetjesh. Nga kushtet e vendosura duket se favorizohen disa kompani të caktuara, sidomos sa i takon pjesës së kapitalit. Po ashtu ka një nen, ku përfaqësuesit që do merren me mbikëqyrjen e procesit do ja hedhin paq nëse droga shitet në të zezë, pasi vetëm sa do gjobiten.

Për punonjësin e administratës shtetërore caktohet gjobë në masën nga 3,000 (tremijë) lekë deri në 10,000 (dhjetëmijë) lekë, kur nuk përgjigjet brenda afateve të caktuara nga ky ligj për kërkesat që ushtrojnë subjektet në zbatim të ligjit”, thekson ligji.

Po ashtu edhe subjektet që do merren me kultivim vetëm sa do gjobiten nëse shkelin ligjin dhe drogën e marrin trafikantët. Mbetet të shihet sa efektiv do jetë ky ligj, por nga të dhënat paraprake menaxhimi i parcelave është shumë i vështirë. Droga shumë lehtë mund të dalë në tregun e zi. /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej