Reagimi i fortë nga Gjermania/ CDU: Rama nuk i ka përmbushur kriteret

Dy prej figurave të rëndësishme të CDU-së në Gjermani kanë dhënë qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e BE për të hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nënkryetari i CDU, Dr. Johann Wadephul, i cili është gjithashtu kryetar i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor brenda grupit parlamentar dhe Gunther Krichbaum, zëdhënës për politikën europiane deklarojnë se hapja e negociatave është një moment historik për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Vendimi për hapjen e negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut u mor një natë më parë në Këshillin Europian, ndërkohë sot pritet të nisë puna konkrete në tryezën e parë ndërqeveritare.

Johann Wadephul: “Negociatat për anëtarësimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është një hap historik drejt rrugës se integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Negociatat duhet të fillojnë tani shpejt në mënyrë që më në fund të ndezin një dinamikë të re pozitive.

Deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut kanë treguar largpamësi. Ata janë shprehur pro një propozimi kompromisi nga Franca që po kërkon shumë prej tyre. Por kjo hap derën për në BE. Mbetet për të shpresuar se ky hap është gjithashtu mënyra për të promovuar bashkëjetesën multietnike në të gjithë rajonin dhe për të ulur tensionet.

Megjithatë, duhet të jetë po aq e qartë se ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj kritereve të anëtarësimit. Për Shqipërinë në veçanti, Bundestagu ka formuluar kritere të qarta për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit. Këto kritere ende nuk janë përmbushur. Pres që qeveria e Edi Ramës t’i zbatojë këto reforma me guxim dhe qe BE-ja të kërkojë përmbushjen e tyre gjatë bisedimeve.”

Gunther Krichbaum: “Marrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për një plan pune për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE jep arsye për shpresë. Bashkimi Europian tani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të mund të fillojnë pa vonesë.

Pres që qeveria bullgare të mos vendosë pengesa të tjera në rrugën e këtyre negociatave dhe përfundimisht ti japë fund lojërave te tyre të motivuara thjesht nga politika e brendshme, të cilat bien ndesh me frymën europiane. Por Maqedonisë së Veriut i kërkohet gjithashtu si Shqipërisë të vazhdojnë përpjekjet. Partitë demokratike në Shkup duhet të vazhdojnë fuqishëm rrugën europiane”.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej