Rrok Dodaj i përgjigjet kryebashkiakut të PS: Autor i të shtënave me armë je ti! Killera me pagesë vërtiten rrugëve të Pukës, i bëjnë karshillëk dhe Policisë

Rrok Dodaj, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Pukës, i është përgjigjur akuzave të kundërshtarit të tij, kryebashkiakut socialist Gjon Gjonaj. Ky i fundit tha se njerëz të importuar nga Tirana, nga Rrok Dodaj, kanë kërcënuar dje mbështetësit e PS dhe kanë shtënë me armë.

Mirëpo, kandidati i Berishës dhe Metës për Pukën, thotë se autori i të shtënave me armë është vetë Gjon Gjonaj, në bashkëpunim me drejtuesit lokalë të policisë. Rrok Dodaj në deklaratën e tij flet për grupe të armatosura që vërtiten rrugëve të Pukës dhe kërcënojnë mbështetësit e opozitës.

“Sa më shumë i afrohemi 14 majit, banda që ka drejtuar pushtetin vendor prej 8 vitesh, me në krye narkotrafikantin Gjon Gjonaj, përmes grupeve të armatosura, të cilat i strehon në Hotel Turizëm Puka, synon të ushtrojë presion dhe shantazh mbi banorët pukjan.

Të frymëzuar nga etërit e tyre politikë, që pushteti mbahet me grykën e pushkës, natën e mbrëmshme, killera me pagesë që vërtiten të armatosur rrugëve të qytetit, duke i bërë karshillëk policisë së shtetit, kanë tentuar të intimidojmë qytetarë të lirë dhe mbështetës të opozitës”, shkruan Dodaj.

Më tej, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” akuzon Gjon Gjonajn dhe thotë se kryebashkiaku aktual i Pukës do të mbahet mend për prishjen e traditave dhe vlerave të bashkëjetesës pukjane. Ai përmend dhe emrin e një personi që thotë se po shantazhon qytetarët për vota.

“Ngjarja e mbrëmshme ka vetëm një autor, Gjon Gjonajn, cili do mbahet mend gjatë për prishjen e traditave dhe vlerave të bashkëjetesës sonë qytetare dhe një bashkëpunëtor, shefin e Komisariatit të Policisë Pukë, i cili është i angazhuar publikisht në fushatën e kreut të bashkisë.

Duke e dënuar ashpërsisht incidentin, apeloj kamikazin politik, Fiqiri Dani, të qëndrojë larg veprimeve me karakter shantazhues, pasi asgjë nuk i shpëton syrit dhe monitorimit tonë”, vijon më tej deklarata e kandidatit opozitar Rrok Dodaj.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej