Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen revolucionit të tij, për të rrëzuar qeverinë Rama. Edhe pse Tirana është përfshirë nga një shi i hollë, kjo nuk e ka ndalur Berishën dhe protestuesit të qëndrojnë përballë Kryeministrisë.
“Shfrytëzoj rastin t’i bëjë thirrje çdo të riu shqiptar, çdo të reje: bashkohuni me këtë revolucion. Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet, guximi, energjia, i bën ato të pathyeshme para asgjëje. Luftoni për vete, për të ardhmen tuaj. Jam këtu për t’u bërë thirrje mbarë socialistëve shqiptarë, bashkohuni me këtë revolucion”, u shpreh kryedemokrati.
Sali Berisha ka lëshuar dhe një mesazh të fortë për gjyqin e PD, në të njëjtën kohë kur në Gjykatën e Apelit po zhvillohet seanca për vulën dhe logon e partisë.
“Sot, pasi asgjësoi PS, i hoqi të drejtat, votat, çdo gjë, ai kërkon të asgjësojë dhe PD. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama do të përjashtojmë nga Shqipëria. Ne do jemi këtu sa të jetë toka. Revolucioni ynë ka misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh ai.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha në protestë:
Ne jemi sot këtu për t’i thënë atij (Edi Ramës) se ky revolucion nuk mposhtet nga asgjë. Këta burra dhe gra janë misionarë të pamposhtur. Marshi juaj është marshi i lirisë, do përmbysë monizmin e bazuar në krimin, në drogën, në vjedhje dhe plaçkitje, do e shndërrojë Shqipërinë në vendin e bekuar për shqiptarët.
Sot ne jemi në një mision të madh për veten, çdonjëri nga ju, një mision i cili do t’i jpaë shqiptarëve Shqipërinë e shekullit të 21. Në këtë mision vështirësitë janë të mëdha.
Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Përmbysja e monizmit. Kurrë në histori një njeri nuk ka vjedh këtë kombi siç e ka vjedh Edi Rama me organizatën e tij kriminale. Në një kohë kur ju gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festa të tjera mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion, me dhomë gjumi.
Shpenzon me fluturime 22 milionë euro. Po këto janë vjedhje xhepi, sepse vjedhjet e tjera janë dhjetëra, qindra herë më të mëdha. Vjedh sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit 122 miliardë lekë, që mjaftojnë për të rritur me 130% rrogat e shqiptarëve.
Vjedhja e të ardhmes sonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite secili prej nesh kemi humbur 1/3 e të dashurve tanë. Me këto ritme Shqipëria shkon drejt zhdukjes dhe ky mendon se do jetojë në Karaibe. Por ne jemi këtu për ti thënë: Edi Rama sot ke para, banka, sot ke çdo gjë, por me asgjë t’i s’do mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve.