Serbët në veri nuk mendojnë si Vuçiçi/ Mbi 70 për qind e pranojnë shtetin e Kosovës, 52 mijë janë pajisur me letërnjoftime kosovare

Mbi 70 për qind e qytetarëve serbë që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me letërnjoftime zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, jetojnë rreth 100 mijë serbë. Prej tyre, sipas ASK-së, 27983 serbë jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës. Ndërsa, në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, vlerësohet se jetojnë edhe rreth 70 mijë qytetarë serbë.

Sipas KQZ-së, 57983 qytetarë janë të moshës madhore në katër komunat veriore dhe me të drejtë vote. Atyre, deri më tani u është mundësuar që të votojnë edhe me dokumente të UNMIK-ut.

Megjithatë, në tërësi mbi 70 për qind e qytetarëve serbë që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me letërnjoftime zyrtare të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2008 kur Kosova e ka shpallur pavarësinë e Kosovës e deri më tani, për banorët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, sipas përgjigjes zyrtare të MPB-së për Demokracia.com, janë prodhuar gjithsej 50281 letërnjoftime të shtetit të Kosovës për qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.

Po ashtu, patentë shoferë për ata janë lëshuar gjithsej 8703 dhe pasaporta gjithsej 6040 copë.

“Dokumente si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë të RKS-së të prodhuara për komunat veriore të RKS-së janë si në vijim: Pasaporta, total 6040. Letërnjoftime, total 50281. Patentë shoferë, total 8703”, thuhet në përgjigjen kësaj ministrie për Demokracia.com.

Ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla ka sqaruar se nuk mund ta dinë saktë vetëm numrin e dokumenteve për komunitetin serb, pasi që dokumentet nuk janë të ndara në bazë të nacionaliteteve, por ata i marrim si bazë komunat me shumicë serbe.

“Në Regjistër Qendror të Gjendjes Civile, regjistrimi bëhet sipas kërkesës dhe nuk kemi asnjë fushë që përcakton etninë e regjistruesit në Regjistër Qendror të Gjendjes Civile, në mënyrë që t’i ndajmë si statistika”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Të pyetur se në cilat vite ka pasur më së shumti kërkesa prej qytetarëve të komunitetit serb për të marrë dokumente të Republikës së Kosovës, MPB-ja ka treguar se kërkesa që të pajisen me letërnjoftime më shumë kanë pasur në vitin 2014 dhe 2020, për pasaporta në vitet 2018 dhe 2019, si dhe patentë shoferë në vitet 2018 dhe 2019.

Ndërsa, nëse e krahasojmë numrin e qytetarëve të moshës madhore, me të drejtë vote, që në katër komunat veriore me shumicë serbe është 57983 votues, ku prej tyre 50281 janë të pajisur me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, atëherë rezulton se afër 90 për qind e tyre e njohin shtetin e Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë i bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë Kurti për targat dhe dokumentet serbe.

Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.

Vendimi i parë ka të bëjë me ri-regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga autoritetet kosovare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej