Shau e mallkoi, por përgjigje nuk dha

Lere mënjanë Faikun me shokë z. Kryeministër, dil një herë e fol si burrat, pse po e shkatërron kështu Shqipërinë: me thikë në brez dhe i pa besë?

Në fakt pati premtuar se do të jepte përgjigje, por Edi Rama nuk është nga ata burra që e mban fjalën. Kishte ditë që paralajmëronte se do të dilte e të sqaronte të gjitha pikat e errëta të koncensionit të Portit të Durrësit, por, si për çdo aferë tjetër të pistë, Kryeministri, jo vetëm që nuk dha përgjigje, por shau e mallkoi nga foltorja e Parlamentit për plot 51 minuta.

Dhe në fund, ndërkohë që vetë ishte duke ndërruar këmishën e djersitur në zyrën e tij, Parlamenti i Shqipërisë me 74 vota pro dhe 35 kundër i hapi dritën jeshile një prej marrëveshjeve më të dyshimta të nënshkruara këto 30 vjet, për një nga pasuritë më të mëdha, strategjike dhe kombëtare shqiptare.

Çfarë sqaroi Edi Rama dje?

Sqaroi se, në atë që sot është Porti i Durrësit, do të bëhet një plazh i ri prej 700 metrash, që deti aty do të pastrohet e do të hiqen mbeturinat dhe që do të ndërtohet një port jahtesh. Tha edhe që nuk është kompania e famshme “Emaar” ajo që do t’i jepet kjo pasuri e shqiptarëve, por punë e madhe.

Kryeministri i Shqipërisë e hëngri turpin me bukë ndërkohë që direkt nga salla e Parlamentit përgënjeshtronte veten ndërsa thoshte se nuk do të jetë “Emaar”, por Muhamet Alabbar, ky “investitor i nderuar” që ka të gjithë të drejtën e botës të vijë me një kompani të re, “Eagle Hills Albania”, fundja siç ka pasur një “Eagle Hills Serbia” etj, por pa i shkuar më tej rasteve që për projekte të ngjashme në Ballkan, Alabbari i nderuar ka dështuar. Sepse në vendet normale, të luash me pasuritë kombëtare nuk është e lehtë. Në vendet normale kontratat e dyshimta ndërpriten. Në vendet ku populli nuk është dele, korrupsioni nuk lulëzon fort kollaj…

Kaq sqaroi Edi Rama dje. Pjesa tjetër ishte një lumë sharjesh e ofendimesh për kundërshtarët politikë të këtij koncensioni, të fshehura nën tekstet e shkruara nga Faik Konica, Noli e Mit’hat Frashëri. Literatura e fillim shekullit të XX i erdhi në ndihmë kësaj radhe Kryeministrit shqiptar, për t’iu gëzuar kartonëve jeshilë të një tufë deputetësh që i kanë shitur shpirtin Djallit.

Prandaj, edhe kjo kontratë koncensioni do të shkojë si të gjithë të tjerat para saj: në fshehtësi, pa transparencë dhe krejt pa informacion për publikun e gjerë.

Edi Rama dje luajti lojën që di të luajë më mirë: i bëri bisht përgjegjësive dhe as e mori mundimin të sqaronte opinionin publik për çfarë ka ndër mend të bëjë në Durrësin dhe fatin e portit tregtar dhe transportimin e tij në Porto Romano.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do ti drejtohet Gjykatës sapo ligji të hyjë në fuqi.

Deri atëherë ne po i kujtojmë kryeministri disa prej pyetjeve që ende nuk kanë marrë përgjigje, madje edhe pas fjalimit 1 orësh që e bëri ujë në djersë dje:

Pse u dha pa garë Porti i Durrësit z. Kryeministër?

Çfarë ju bën të besoni se Alabbar, me gjithë respektin për reputacionin e tij, ishte varianti më i mirë i mundshëm për ti dhënë këtë pasuri të Shqiptarëve?

Cila është e vërteta e këtij investimi z. Rama, Alabar do të investojë 2.1 miliard euro, siç keni thënë në fillim, apo 160 milionë euro (80 investim + 80 kredi), siç doli dje?

A keni bërë një studim paraprak sa kushton toka prej 800 mijë metrash katror në treg të hapur dhe a po e jepni me vlerën që ka?

A i keni menduar pasojat e shkeljes së Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me këtë kontratë që keni lidhur me Alabbar, duke përjashtuar konkurrencën?

Deklaruat një shifër dje për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano, ku do ti gjeni ato para z. Kryeministër?

Cila është infrastruktura që do të shoqërojë portin e ri, sa do të kushtojë dhe ku do ti gjeni paratë?

Për sa kohë do të ndërtohet porti i ri?

Sa është fondi që keni parashikuar në Buxhetin e 2023 për portin e ri?

Lere mënjanë Faikun me shokë z. Kryeministër, dil një herë e fol si burrat, pse po e shkatërron kështu Shqipërinë: me thikë në brez dhe i pa besë?/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej