Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite janë në gatishmëri të lartë pasi inteligjenca saudite e ndarë me SHBA-në tregoi se Irani pritet të kryejë një sulm ndaj objektivave në Arabinë Saudite, raportoi The Wall Street Journal.
Zyrtarët sauditë thanë se përveç Arabisë Saudite, Irani po kërkon gjithashtu të godasë Erbilin në Irak, ku ndodhen trupat amerikane. Sulmet e planifikuara thuhet se synojnë të shpërqendrojnë protestat që po zhvillohen në Iran kundër udhëheqjes së kombit islamik.
Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha të martën gjatë një konference për shtyp se SHBA mbetet “e shqetësuar” për “situatën e kërcënimit në rajon” dhe është “në kontakt të rregullt” me zyrtarët sauditë.
“Ne do të rezervojmë të drejtën për të mbrojtur veten, pavarësisht se ku po shërbejnë forcat tona, qoftë në Irak apo gjetkë,” tha Ryder, duke refuzuar të japë informacion për ndonjë kërcënim specifik.
Referuar raportimeve të mediave të huaja, sulmi iranian mund të ndodhë në 48 orët e ardhshme, duke cituar inteligjencën saudite. Bëhet fjalë për një sulm ndaj Izraelit, i cili së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite i ka vënë në gatishmëri objektet e tij ushtarake në Lindjen e Mesme.
Forcat e Gadës Revolucionare të Iranit kanë kërcënuar me sulme me dronë dhe raketa bazat amerikane në Lindjen e Mesme, Izraelin dhe Shqipërinë.
Në një video të publikuar së fundmi, Garda Revolucionare e Iranit ka vendosur në objektivat e saj edhe kampin e MEK në Manëz të Durrësit.
Në video shfaqe qindra dronë, raketa si dhe pamjet e kapura me satelitë të objektivave, ku përfshihen kryeqyteti Tel Aviv, bazat amerikane në rajonit si edhe kampi i MEK në Manëz. Në fund, iranianët theksojnë se kanë gjithçka nën kontroll dhe se mund të godasin kur të duan.