Sherr për protokollin e 25 korrikut: Ambasadorët paralajmërojnë bojkot nëse Sali Berisha ftohet në Presidencë!

Ilir Meta është alarmuar mjaft ditët e fundit, sidomos pas një letre të sertë që i ka ardhur nga Uashingtoni, dhe që ka lidhje me hapjen e zyrës së DEA-s në Tiranë

Ka zëra që po qarkullojnë ditët e fundit, e që shihen qartë nga lëvizjet që vijnë nga Presidenca. Një panik nga ana e Ilir Metës, jo vetëm prej dosjeve që janë depozituar në SPAK, por në radhë të parë mbi mundësinë e shpalljes ‘Non Grata’ sapo të lërë presidencën më 25 korrik.

E për të përforcuar gjithë këto zëra është protokolli i 25 korrikut, për ceremoninë e dorëzimit të detyrës së Presidentit. Sipas burimeve, ka një përplasje me protokollin e shtetit, i cili nuk ka pranuar që Sali Berisha të jetë i ftuar në ceremoninë e Presidencës, ndërkohë që atje do të jetë i gjithë trupi diplomatik.

Protokolli i Shtetit e ka refuzuar në mënyrë të qartë prezencën e Sali Berishës, ndërkohë që Edi Rama ka bërë të ditur se do të jetë në pritjen që Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj do të zhvillojë pas largimit të Ilir Metës nga selia e kreut të shtetit.

Sipas të gjitha gjasave, ceremonia e 25 korrikut do të ketë dy pjesë: largimi i Presidentit Meta me bojkot të madh, e në momentin e dorëzimit një fluks të ardhurish në pritjen që do të organizojë presidenti i ri.

E gjitha kjo është në varësi të Sali Berishës. Deri tani, mësohet se Ilir Meta nuk pranon të ftojë Enkelejd Alibeajn si përfaqësues të PD-së, por Sali Berishën.

Vetë Meta, mësohet se i ka bërë të ditur Berishës situatën, por ky i fundit ka propozuar se ose ai ose asnjëri nga opozita. I ka propozuar që të ftojë të gjithë ish-presidentët e të gjithë ish-kryeministrat, ku të jetë prezent edhe Berisha, por protokolli i shtetit ka bërë të qartë, se nuk do të jetë asnjë person që është i shpallur ‘Non Grata’ nga ana e qeverisë së SHBA-së.

Meta është alarmuar mjaft ditët e fundit, sidomos pas një letre të sertë që i ka ardhur nga Uashingtoni, që ka lidhje me hapjen e zyrës së DEA-s në Tiranë.

Ai e shikon këtë situatë si një sinjal të qartë se do të shpallet ‘Non Grata’ sapo të lërë Presidencën, e për këtë ka rritur dozën e përplasjes njësoj si Berisha. Kjo është edhe arësyeja pse ka marrë përsipër që të nxjerrë kleçka në lidhje me protokollin.

Ultimatumi për administratën e Presidencës ka qenë i qartë; nëse ftohet Berisha, nuk do të jetë prezent asnjë përfaqësues i qeverisë apo i grupit parlamentar të mazhorancës, si dhe trupi diplomatik. E siç mësohet kjo ka futur në panik Ilir Metën, i cili ka zëra se ka hartuar edhe një plan, që edhe pse dorëzon Presidencën do të qëndrojë në eventin e pritjes së Presidentit të ri, për të mos dalë i vetëm nga selia kryesore e shtetit. Madje po flitet edhe për një dalje nga një derë jo kryesore, në kulmin e festës për të shmangur një zhvillim që ai mendon se mund të ndodhë. Megjithatë, të gjitha këto janë zëra që vijnë thjesht prej një përplasjeje për Sali Berishën, i cili ka bërë të ditur se do të përdorë PD-në si bunker. E gjitha kjo do të ndodhë normalisht nëse vendimi i Gjykatës së Apelit do të merret brenda korrikut, apo do të shtyhet për në shtator. E nëse bëhet brenda korrikut dhe vendimi është kundër Berishës, a do të largohet ai nga selia e PD-së.

Gjasat janë që jo, por dilemma është a do të depozitojë Alibeaj padinë për ta larguar me polici? Alibeaj mësohet se i ka thënë Sali Berishës: nëse vendos gjykata se ti je kryetari ne largohemi, po a largohesh ti? Por dije se unë nuk do të thërras policinë për të të larguar. Veçse dije se nëse tenton të më dhunosh atëherë jemi në një çështje personale, leri demokratët të mbështesin kë të duan, por gjykatën e kemi pranuar edhe ne edhe ti!/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej