“Shkelësi që u kthye në vrasës ishte polic”, Edi Rama flet për herë të parë për tragjedinë e Himarës: Më ka gërryer me ditë edhe netë

Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë publikisht për tragjedinë e Himarës, ku një shef policie përplasi me skaf dhe i mori jetën një vajzë 7 vjeçare që kishte ardhur me familjen nga Anglia për të pushuar në Potam.

Ai tha se ndjen revoltë të madhe së brendshmi për ikjen e vogëlushes, ndërkohë që po ashtu për herë të parë tregoi se së brendshmi ka përgëzuar dhe me përulësi respekton djemtë dhe vajzat që dolën në protestën paqësore para Ministrisë së Brendshme.

“Edhe kur i shkruajta edhe tani që po i lexoj këto rreshta prapë kam një ndjenjë shumë të fortë revolte për faktin se shkelësi i cili u kthye në vrasës, nuk ishte një pushues i zakonshëm por një punonjës policie, që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe për rregullin”, tha ai.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Se kam harruar akoma ngjarjen tragjike të Himarës ku vogëlushja e pafajshme humbi jetën nga goditja fatale e një skafi në bregun e detit. Sot kur vala e madhe e reagime mbi plagën e sapo hapur është fashitur por edhe meqenëse jemi këtu në Ministrinë e Brendshme në një moment ndryshimi në Policinë e Shtetit kam dëshirë të ndaj një reflektim me publikun dhe natyrisht edhe me ju që jeni gjithë skuadra drejtuese e ministrisë dhe e policisë. Dhimbja për një jetë aq të re të rrëmbyer aq egërsisht, nga një shkelje aq e papërgjegjshme e rregullave sinqerisht më ka gërryer me ditë edhe netë.

Edhe kur i shkruajta edhe tani që po i lexoj këto rreshta prapë kam një ndjenjë shumë të fortë revolte për faktin se shkelësi i cili u kthye në vrasës, nuk ishte një pushues i zakonshëm por një punonjës policie, që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe për rregullin. Ky fakt e bëri tragjedinë, për prindërit dhe çdo familjar, jo thjesht të dhimbshme, por dhe shumë revoltuese pikërisht të profilit të autorit. Ajo tragjedi nuk kishte dhe nuk ka dot sot asnjë ngushëllim.

S’ka si të ketë ngushëllim për familjen e një fëmije viktimë, ama është vendi të thuhet se në kulmin e një dhimbje ekstreme, ajo familje tregoi vetëpërmbajtje. Përulësisht respekte për ta. Nga ana tjetër ishte një neveri sesi u shfaqën ulëristësit profesionistë në politikë dhe në media, a thua se vogëlushja fatkeqe iku nga kjo botë për të furnizuar me gjakun e saj ëngjëllor makineritë e urrjetjes.

Bëra gabim që u mora në reagimin e parë menjëherë pas ngjarjes dhe krijova keqkuptim. Me veten time në heshtje i kam përgëzuar ata djem dhe vajza që dolën në protestë paqësore para Ministrisë së Brendshme. Ndaj me ta revoltën për disa nga pse-të e ngjarjes.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej