Dhjetë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal, që merrej me veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike edhe nëpër shkolla.
Mësohet se grupi kriminal drejtohej nga një çift bashkëshortësh, ndërsa burri Herald Rexhepaj ka qenë ‘koka’ e grupit.
Grupi i rënë në pranga, e kishte bazën te Kodra e Diellit. Bëhet me dije se banorët e zonës kanë qenë në dijeni të rastit dhe ka qenë një shqetësim shumë i madh për ta.
Lënda narkotike kokainë ishte e ndarë në rreth 600 doza. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe 3 kg kanabis.
Policia njofton se goditja e grupit kriminal është bërë pas katër muajsh hetime intensive.
Gjatë kontrolleve në banesën e ‘kokës’ së grupit, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe sasi të tjera të lëndës narkotike, kokainë.
Herald Rexhepaj është arrestuar edhe në muajin prill pasi u kap me disa doza kokainë nga Kosova drejt Shqipërisë. Bëhet me dije se disa anëtarë të këtij grupi kriminal janë arrestuar edhe më herët për posedim të lëndëve narkotike.