E marta e 6 Dhjetorit ishte një nga ditët tipike shqiptare. E një Shqipërie që nuk po gjen qetësi e drejtim, që nuk po di nga t’ia mbajë përballë kryqëzimit që i ka dalë përpara këtu e 30 vjet të shkuara.
6 Dhjetori ishte prova, ditën për diell, se Shqipëria, jo që nuk ka premisa të dalë nga tranzicioni, por me shumë mundësi do të mbetet edhe për shumë dekada të tjera vendi i trazuar i një populli që, në vend që të luftojë për veten e tij, zgjedh dhunën, nënshtrimin ose ikjen.
Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit shqiptar, dje, liderët e 27 vendeve të BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor, parakaluan mbi tapetin e kuq dhe u mblodhën me një axhendë që shqiptarëve, si një popull që aderon për të hyrë në BE, i intereson. Rrallë herë e ka parë historia e Shqipërisë një event të përmasave të tilla. Për meritë të Edi Ramës ose jo, eventi i djeshëm duhej duartrokitur e shijuar. Për një popull që historikisht ka qenë e zeza e vetes, që kurrë nuk ka ditur as të lobojë e as të mbrohet në arenën ndërkombëtare, zgjedhja e Tiranës si qyteti ku do të mbahej Samiti i BE me Ballkanin Perëndimor, duhej përdorur për të mirën e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.
Jo me nënshtrim e as me propagandë. Duhej përdorur me dinjitet.
Përtej raporteve aspak shpresëdhënëse për korrupsionin, lirinë, krimin dhe emigrimin e paligjshëm që ende na njollosin, ajo e djeshmja duhej të ishte dita që Shqipëria të tregonte ato vlera që ka. Ose, më mirë, ato vlera që i kanë mbetur.
Por jo!
Pak metra më tutje atij samiti, një kufomë politike që i ka duart e ndyra me gjak shqiptari, mblodhi njerëz, gjoja për t’i treguar Evropës se Edi Rama ishte e keqja; se shqiptarët janë të mirë, por nuk po ngrenë dot krye prej Kryeministrit. Të njëjtit kryeministër që ndërkohë priste mysafirët mbi tapetin e kuq.
Kjo kufomë politike doli të thoshte se ne, shqiptarët, jemi evropianë. Flamuri më i lartë i kësaj kufome ishte: protesta më proevropiane e mbajtur ndonjëherë në Shqipëri.
Nuk ka asgjë të keqe që në një vend të mbahen protesta gjatë organizimeve të tilla si ajo e samitit të djeshëm. Përkundrazi! Edhe në vendet më të zhvilluara, raste dhe ditë të tilla priten nga shoqëria civile, për të protestuar për të drejta apo ndërgjegjësim të opinionit publik për çështje të caktuara.
Por të dalë opozita e një vendi për t’i thënë Evropës se qeveria është e keqe, kjo nuk ishte parë. Aq më tepër kur këtë del dhe e thotë soji i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky pastaj është kulmi…
Ndërsa drama vazhdon të mbetet e njëjta: edhe 30 vjet më pas, në Shqipëri ende dëgjohet emri dhe zëri i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ende ka njerëz që i ndjekin ata nga pas. Ende thirret nëpër sheshe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ende ka drojë dhe frikë që emra të rinjsh ambiciozë e të ditur të dalin dhe t’i sfidojnë, t’i hedhin në kosh qelbësirat që kanë ndotur vendin.
Kjo është arsyeja pse dita e pardjeshme ishte një ditë tipike shqiptare dhe askush nuk ka pse të çuditet as për kontrastin e tapetit të kuq me realitetin ku jetojnë shqiptarët, as për gjunjëzimin simbolik të Kryeministrit të Shqipërisë përballë atij belg, as për Sali Berishën dhe Ilir Metën përkrah në shesh dhe as për grushtin që kreu de fakto i opozitës mori nga një 31 vjeçar. Askush nuk ka pse të çuditet as për ato që ndodhën një ditë me parë e as për këto që do të ndodhin një ditë më pas. Sepse Shqipëria është ende peng i së shkuarës dhe kufomave politike që nuk po duan të varrosen. Në Shqipëri ende nuk po del dikush që këtyre kufomave tu bëjë ceremoninë mortore e t’i mbyllë në gropë përjetësisht. Shqiptarët historikisht kanë adhuruar dhe i janë nënshtruar idhujve të gabuar dhe sot, në vend që grushtin ta ngrenë ata, ikin. Shqiptarët po ikin që tu lëshojnë vend atyre që të martën e 6 Dhjetorit dhanë spektakël aq kontradiktor me njëri-tjetrin. Njëri në tapet të kuq e tjetri me gjak e më dhunë./Pamfleti