Si e ktheu Edi Rama PS-në në një kazermë me rudiment fashist

Partia Socialiste kur u krijua në qershorin e vitit 1990, vërtetë vinte nga gërmadhat e partisë së Enver Hoxhës, por ndryshe nga 1941-shi, nuk pati atentatorë e fanatikë në kupolën e saj.

Madje “Gjon Pagëzori” i saj ishte një nga bekimet që do ta donte çdo forcë politikë si baba.

Ishte pikërisht shkrimtari Dritëro Agolli, i cili me fjalimin e tij epik në Kongresin e 10 të PPSH-së, dha britmën se si duhet të jetë partia e re.

Pas Dritëroit, një tjetër intelektual i klasit të parë, i madhi Moikom Zeqo, gjithashtu shpalosi idenë filozofike të një partie të njerëzve e jo të udhëheqësve, një parti universale e jo hierarkike. E natyrisht edhe me ndikimin e fortë të Ramiz Alisë, udhëheqja e parë e PS-së ishte një katedër profesorësh e intelektualësh të klasit të parë. Të cilët në shumicën e tyre ishin magjistruar, doktoruar, apo laureuar në universitetet perëndimore.

Këta profesorë, bashkë me Fatos Nanon në krye, i dhanë shoqërisë shqiptare një vibrim liberal, të qetë dhe universialist, se si duhet të jetë politika.

Ata nuk shkonin në punë në orën 8 apo iknin vonë në darkë, por mblidheshin në kohë normale, diskutonin shumë dhe vendimet përpiqeshin të merrnin në mënyrë kolegjiale. Nuk pati tabu, nuk qaseshin fanatikët, nuk linçoheshin kritikët apo rivalët.

E kështu PS-ja, realisht, sidomos në opozitën e parë, formoi një model sesi duhet të jetë një forcë politike perëndimore. Këtë e ndihmoi edhe ‘junta’ e instaluar nga Sali Berisha, i cili shkelmoi demokracinë dhe idetë liberale, duke e bërë PD-në një parti-kazermë me tipare të forta hierarkike dhe fashiste. Ku vendos individi, dhe pas tij ka një hierarki mendimi e veprimi, ku linçoheshin kushdo që fliste dhe mendonte ndryshe, e përdorej dhuna deri në vdekje për kundërshtarët politikë.

Me ardhjen në pushtet të linjës liberale të Nanos, partia pësoi një deformim politik, pasi hyri në kaos, ku siç e tha vetë në intervistën e fundit te Fevziu, Fatos Nano, delegoi pushtet të madh dhe të pakontrolluar, që u kthye në një betejë kaotike grupesh interesi.

Në ardhjen e dytë në pushtet të PS-së, pra sot në epokën e Edi Ramës, ku po kalon një dekadë në qeverisje, kjo parti është kthyer në një kazermë të vërtetë hierarkike.

Në udhëheqjen e PS-së nuk ka asnjë Dritëro që të shpotisë e telendisë me thumbin e tij metaforik, nuk ka një mjek spartan si Sabit Brokaj që të kërkojë një dekalog patriotik nga qeveria, nuk ka një biolog klasi si Et’hem Ruka, për të ndaluar kaosin e qarkullimit të lëndës toksike në politikë. Mungon freskia femërore dhe ‘british style’ i Arta Dades, apo qartësia dhe mprehtësia zvicerane e Ermelinda Meksit.

Sot PS ka vetëm një shije, vishet njësoj, ha e pi njësoj, atë të Edi Ramës. Ka vetëm një ide dhe që është uniforme, ajo që ka në kokë Babloku, i cili i ka bërë të gjithë të adhurojnë zhgarravinat e tij artistike, a thua se edhe Qifja i Peqinit, Toma i Velipojës e Lala i Dibrës, marrin vesh nga arti abstrakt.

Baza e PS-së së Fatos Nanos ishte universalizmi edhe në mënyrën e ndarjes dhe organizimit. Ishin degët e PS-së ata që zgjidhnin kandidatët për kryetarë bashkie. Nëse kryesia qendrore kishte emra, ajo diskutonte gjatë me argumente në njësitë lokale. Organigrama politike ishte policentrike, ndërsa sot është një piramidë e madhe-faraonike, ku me të drejtë Arjan Çani edhe pse me tallje e quan kryeministrin: Ramses.

Një model, i cili është në natyrën e Edi Ramës, pasi e ka bërë edhe kur ishte kryetar bashkie apo minister i Kulturës. Ai nuk ka njohur kolegjialitet e transparencë, pasi gjërat i merrte vetë me këshilltarët e tij të pajtuar, që ishin kokat e vërteta por në hije.

Edhe sot, Babloku ka një duzinë të huajsh që i paguan, e që janë ministrat realë të qeverisë, (pasi të tjerët janë thjesht për të firmosur tenderë e PPP), por askush nuk i njeh e nuk i di çfarë vendosin e këshillojnë.

Megjithatë, modeli faraonik e hierarkik, mori një përforcim edhe më të madh pas kardashlerizmit që Edi Rama pati me sulltanin e Ankarasë, Rexhep Tajip Erdogan. Ku, piramidës autoritariste ju shtua edhe sifati, por edhe surrati oriental neootoman, që e ktheu Partinë Socialiste, thjesht në një zyrë koordinimi të kulteve dhe grupeve të interesit më të mbyllura dhe misterioze në vend.

Kushdo që ndodhet pranë politikës sot, e di se Arbër Hajdari ka kohë që financohet dhe trajnohet si një politikan i lartë socialist, i ardhur edhe me dëshirën e sulltanit, që nxit “xhematin” të dhurojë pa fre për fondacionin e tij “humanitar”. Që oligarkët, jo vetëm kanë fuqi vendimmarrëse për aktet që kanë të bëjnë me biznesin e tenderët, por edhe bëjnë politikën e kuadrit brenda Partisë Socialiste.

Që Ahmet Kalaja, ka më fuqi si patronazhist sesa kunati i tij, deputet i Partisë Socialiste.

Kandidatët për kryetar bashkie, në shumicën e tyre nuk vijnë nga organizatat socialiste në bazë, por nga grupe interesi që dalin nga skuta të errëta allishverishesh dhe delenxhinjsh.

Natyrisht, edhe në kohën e Fatos Nanos ndikonin grupe interesi apo individë ‘gurrçë’ si Miri i Xhikës, Gëzimi i Kashtës apo çuni i Bales. Por në fund ishte mbledhja e KPD-së, e cila përgjithësisht bëhej live, ku diskutohej dhe vendosej.

Sot edhe forumet statutore socialiste, si kryesia, nuk marrin vendime. Ata thjesht “dekretojnë” fermanet e Bablokut. Kryesia e socialistëve është kthyer në një ‘bajrambegaj’ në kuptimin e plotë të fjalës.

Kurse akti më shqetësues në metamorfozën hierarkike të PS-së është adhurimi i vetëm për Edi Ramën.

Në një logjikë religjoze, socialistët nuk duhet të adhurojnë tjetër përveç Atij. Shehadeti socialist është kthyer në një formulë për atë që lind dhe vdes si i tillë. Kush krijon idhuj të tjerë, linçohet e asgjësohet. Siç ndodhi në fillim me Saimir Tahirin, i cili realisht ishte lideri i parë jashtë Ramës që po formësohej brenda PS-së.

Duke u simpatizuar nga ata socialistë që nuk quheshin “Rilindja” e nuk kishin ardhur nga Mjafti.

Ky lloj adhurimi, është një rudiment i rrezikshëm fashist, pasi ndodh në një vend të vogël, demokratik, por edhe problematik në formimin kulturor të masës.

Hitlerin apo Duçen, së pari e adhuruan njerëzit e kulturës dhe aristokracia pasi e panë si mjet për të zhdukur kaosin që solli Paqja e Versajes pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Por në fund, ishte kjo shtresë që e largoi dhe krijoi një ide dhe plan kristiandemokrat për Europën, e cila është edhe sot, koncepti politik i një demokracie që Lufton për paqen dhe vlerat perëndimore.

Angela Merkel është politikanja më popullore jo vetëm në Gjermani, por në Europë dhe në Botë. Por ne nuk kemi parë njerëz që kur e shikojnë gërthasin “Merkel-Merkel”. Emanuel Macronin në Francë e gjuajnë çdo javë me grushta e shpulla, dhe të irrituarit e politikave të tij, i djegin Parisin një herë në muaj.

Në Itali, sapo disa fëmijë thirrën në kor “Giorgia Meloni-Giorgia Meloni”, mediat dhe shoqëria reagoi fort për rrezikun e një politike hierarkike që nxjerr në skenë balilët (Pionierët fashistë).

Merkel udhëton me avion e hyn në bare e hotele të të gjithë Europës, pa e shqetësuar kush, edhe pse e adhurojnë dhe e duan. Kjo sepse ajo nuk kërkon ta brohorasin, por ta lënë të qetë.

Kur ishte në politikë, ajo kërkonte thjesht votën, e bënte punën për të cilën ishte votuar. Kjo ndodh në demokracitë perëndimore. Në fashizëm dhe autokraci ka nevojë për idhujtari, pasi punohet keq dhe kundër njerëzve.

Kurse tek ne, në mitingje, rrjete sociale apo edhe në takime të “improvizuara” gjejmë vetëm fjalë të tipit: “Ec përpara gjigand”, “Je i madh”, e ke bërë “vendin një lule” e të tjera broçkulla si këto.

Që të mos i hymë në hak Bablokut, këtë model e ka pasur dhe e ka edhe partia e Sali Berishës dhe Ilir Metës, ky I fundit madje, e ka edhe më keq. Por thjesht ja vlen për të treguar se dikur në PS, ligjin e bënte një njëri si Dritëroi, edhe pse i kishte kthyer nja dy gota; e bënte Mojkomi, edhe pse në një moment mund të delironte. Jo Tom Doshi, e Qifja, apo Imer Lala. Të cilët bëjnë vërtetë karrierat në PS-në e Edi Ramës…/Pamfleti  

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej