Një vit më parë, mbahet mend deklarata e Lulzim Bashës, i cili e akuzoi Sali Berishën dhe njerëzit e tij të ‘Foltore’-s, se po ndihmohen nga njerëz të krimit të organizuar në Elbasan. Madje Basha përmendi me emër dhe mbiemër Jael Çelën, si një nga mbështetësit e njeriut të Saliut në Elbasan, Luçiano Boçi.
Berisha dhe njerëzit e tij nuk e përgënjeshtruan, madje jo vetëm kaq, por doktori i cili nuk lë njeri pa sulmuar me ‘kuç e me maç’, të vetmen që nuk ka prekur fare ka qenë mafia e Elbasanit. E cila ka arritur të fuqizohet sërish, duke siguruar ndryshimin e kupolës së policisë në qark, e duke lobuar emërimin e një njeriu që nuk do t’i trazojë.
Në fakt, prej kohësh, që pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kur drejtues i qarkut të Elbasanit për PS-në u emërua Damian Gjiknuri, grupet kriminale janë tkurrur shumë, ngaqë kreu i ri nuk i qasi fare të fortët e përkatësisht grupin e Çelajve. Të mësuar me Taulant Ballën, i cili jo vetëm hante e pinte me ta, por bënte të gjitha planet dhe zullumet e të gjitha llojeve, kjo mafie shumë e pasur, e cila është kthyer në një seksere apo sindikatë e krimit të organizuar, bëri planet për të kontrolluar ministrinë e Brendshme. Pasi Taulanti ‘fryhej’ se do të emërohej ministër pasi të merrte 8 mandate në qarkun e Elbasanit. Rezultat që erdhi pas një gjakderdhje të tmerrshme vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Largimi i Ballës nga Elbasani në Fier, duket se e ndali këtë klan të rrezikshëm, që arriti t’i binte ndesh edhe policisë, e cila një pjesë i shërbente atyre, e tjetra nuk ndërhynte nga frika se mund të prekte të mëdhenjtë.
Por kohët e fundit ky klan u fuqizua sërish, duke riaktivizuar të ashtuquajturin “kampus të Formula 1” në Elbasan, i cili duket se është një front i rrezikshëm i pastrimit të parave. Sjellja në Tiranë e Flavio Briatores, biznesmenit të famshëm Italian, i cili është brand ambasador i Formula 1, ka pikërisht qëllimin për ta kthyer pistën e Elbasanit, si një sit zyrtar i kampionatit të automobilizmit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Raportet ndërkombëtare të partnerëve kanë bërë të ditur se pikërisht kjo pistë është një front pastrimi i parave që vijnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Klanet Elbasanit që veprojnë në Britaninë Madhe, si dhe në Spanjë janë disa nga grupet më të fuqishme të trafikimit të kokainës, vetëm pak vite më parë, këto grupe hynë në një luftë të përgjakshme me njëri-tjetrin për të kontrolluar territorin.
Ndalja e vrasjeve dhe krimeve në Elbasan prej një viti, ka ndodhur pikërisht si pasojë e largimit të Taulant Ballës, i cili i rrinte shumë afër krerëve të “sindikatës” së kësaj mafie, e cila merrej me çështjet e sistemimit të ushtarëve të kësaj mafieje në burgjet e Peqinit apo Elbasanit. Thuajse të gjithë policët e burgut të Peqinit dhe paraburgimit të Elbasanit, ishin ushtarë të Taulant Ballës, por edhe të besuar të grupeve mafioze. Prej një viti ka ndodhur një largim masiv i këtyre njerëzve dhe pjesa më e madhe e policëve të burgjeve janë larguar në emigracion, pikërisht nga frika e ndëshkimit prej mafies së Elbasanit. Tani, duket se situate po ndryshon pasi në zgjedhje, mund të riaktivizohen prapë të fortët, ngaqë Babloku nuk rri dot pa to. E prej 48 orësh në Elbasan, në tregun kryesor të qytetit janë parë sërish makinat e shtrenjta të Celajve që kanë nisur fushatën zgjedhore për të rizgjedhur njerëzit e Taulant Ballës në bashkitë e qarkut të Elbasanit, i cili është edhe i preferuari i Jael e Suel Çelës./Pamfleti