Brukseli kërkon arrestime pushtetarësh të lartë pas nisjes së procesit të negociatave të Shqipërisë me bashkimin Evropian. Viti 2023 pritet të sjellë zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që të ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. Kështu, teksa deri më tani kërkohej luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimi i reformës në drejtësi dhe ngritja e organeve të reja të dalë prej saj, në raportin që disponon gazeta, një tjetër kriter i vendosur është arrestimi i pushtetarëve të korruptuar. Në raport, Brukseli ka vënë si kusht kryesor për hapjen e negociatave, jo vetëm hetimin e të korruptuarave, por dënimin e tyre.
“Duhet të kenë një vijimësi dhe vazhdimësi në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe procedimin dhe përfundimin e procedurave ndaj politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të korruptuar”, thuhet në raport. Kjo do të thotë se brenda vitit priten arrestime dhe dënime pushtetarësh, kjo pasi do të plotësohet procesi “screening”, i cili është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pra, duke qenë se përmes këtij procesi do të nënvizohet rrugët që duhet të ndiqen nga autoritet shqiptare sa i takon luftës kundër korrupsionit, SPAK dhe BKH janë të “dënuara” që brenda këtij viti të fillojnë arrestimet dhe dënimet ndaj pushtetarëve.
Drejtësia e re trondit Ilir Metën
Arrestimi i “një peshkaqeni” do t’i hapte menjëherë rrugën Shqipërisë drejt BE. Me zhvillimet e fundit brenda SPAK, i rrezikuari kryesor është Ilir Meta dhe ky është një lajm shumë i mirë për kryeministrin Rama dhe këtë moment kreu i qeverisë pritet ta shfrytëzojë shumë mirë. Brukselit do t’i mjaftonte që pas hekurave të shkonte një personazh si Ilir Meta, i cili ka mbajtur shumë poste të larta si ish-president, ish-kryeministër, ish-deputet e ish-kryetar Kuvendi. Meta ka shumë çështje që mund ta rrëzojnë dhe kjo ka bërë që të intensifikojë konferencat për shtyp, daljet televizive dhe kërcënimet, duke demonstruar shenja të shqetësimit të thellë në kufijtë e panikut. Alarmi i Ilir Metës është produkt i 5 dosjeve penale në SPAK, ku ish presidenti është protagonist i drejtpërdrejtë. Kurrë më parë në karrierën e tij 30-vjeçare politike Ilir Meta nuk ka pasur një numër të tillë llogarish të hapura me drejtësinë dhe asnjëherë më parë nuk është kaq pranë rrezikut për t’u marrë i pandehur.
Menjëherë pas kthimit nga Uashingtoni, Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj ish presidentit Ilir Meta për dy akuza. Korrupsion pasiv dhe falsifikim i formularëve janë dy veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet nga SPAK. Por jo vetëm kaq, pasi në SPAK janë depozituar dhe 3 padi kundër tij. Kemi një padi të gazetarit Adriatik Doçi për korrupsion. Po ashtu avokati Idajet Beqiri e paditi për ndërhyrjet estetike. Meta së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi përfunduan në SPAK pasi u kallëzuan për fshehje të ardhurash, në një kohë kur kanë shpenzuar shumë të mëdha parash për operacione plastike jashtë vendit.
Ndërkohë është dhe një padi e juristit Romeo Kara e transferuar nga Krimet e Rënda për aferën CEZ-DIA, e cila për herë të parë çoi Ilir Metajn brenda dyerve të SPAK duke dhënë sqarime për aferën që i ka kushtuar Shqipërisë miliona euro dëm. Pra, kushti i Brukselit për goditjen e “peshqve të mëdhenj” është në dorë të SPAK dhe presioni amerikan nga pas me gjithë dosjet “e nxehta” që ndodhen mbi tavolinën e drejtësisë së re pritet të tronditin pozitat e Ilir Metajt, por edhe pushtetarëve të tjerë të korruptuar.