SKEMA/ Si po bëhen 30-vjeçarët pronarë të vilave në kryeqytet dhe bregdet

Nga Emirjon Senja

R.A nuk i ka mbushur të tridhjetat dhe deri dy vite më parë ka bërë një punë që paguhej shumë pak në kryeqytet, por sot ajo rezulton të jetë pronare e disa vilave në fshatrat turistikë të jugut si edhe në kryeqytet, ndërkohë që ka blerë fillimisht dhe ka shitur më pas edhe disa të tjera.

Përveç faktit se historia e “R” i ngjan asaj të Hirushes ku një magji e bën të martohet me princin për të jetuar më pas në Pallatin Mbretëror, nga këqyrja e kontratave të shitblerjeve të bën përshtypje diferenca e madhe mes çmimit të blerjes dhe të shitjes së vilave duke i siguruar asaj dhe financuesit nga pas miliona euro pasuri “të pastra” tashmë vetëm duke hedhur firmën.

Në fakt, “R” nuk është e vetmja vajzë e bërë rishtazi milionere në kryeqytet përmes akrobacive me shitje dhe blerje vilash apo zyrash super të shtrenjta në mes të Tiranës. Ajo në fakt përfaqëson një fenomen të përhapur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri ku njerëz të ardhur nga hiçi, pa firmosur asnjëherë në bordero në jetën e tyre, bëhen pjesë e lojës së pastrimit të parave me “peshkaqenët” e tregut të pasurive të paluajtshme.

Skema

Rezulton se shuma të mëdha parash janë duke u pastruar në Tiranë dhe bregdet nga kriminelë, trafikantë, politikanë, ish-gjyqtare dhe ish-prokurorë të nxjerrë nga Sistemi i Drejtësisë përmes një skeme të tillë.

Përmes veprimeve fiktive dhe në bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit, personazhet e kësaj skeme të njohur tashmë i blejnë hapësirat e ndërtimit me një çmim të ulët për të shmangur taksat për ndërtuesit dhe më pas i rishesin me një çmim dyfish apo trefish më të shtrenjtë duke pastruar me një dorë një sasi të madhe parash.

Lexo edhe: Del renditja, shqiptarët të fundit në Europë dhe rajon për Fuqinë Blerëse. Para nesh edhe Ukraina në luftë

Në këtë mënyrë është bërë thuajse e pamundur edhe blerja e një apartamenti me të ardhura të ligjshme në Shqipëri, pasi rrogat, por edhe fitimet e një biznesi normal këtu nuk mund të përballojnë çmime të tilla.

Çmimet

Blerja e një apartamenti është kthyer në një mision të pamundur për çdo familje të re në Shqipëri, të cilët edhe në rastin kur arrijnë të gjejnë paratë, do të duhet të punojnë rreth 20 vite për t’u bërë ligjërisht pronarë të saj.

Abcnews.al publikoi dje të dhënat më të fundit të Indeksit të përballueshmësisë së blerjës së një apartamenti që mat raportin mes çmimit dhe të ardhurat e familjeve shqiptare, ku rezulton se vendi ynë pozicionohet në fund të listës krahasuar me shtetet e rajonit si edhe të Europës. Shqiptarët e kanë më të vështirë se të gjithë fqinjët e tyre për të blerë një apartament mesatarisht 90 metra katrorë.

Çmimet për metër katror të ndërtimeve për banim apo për biznes janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, ndërkohë që faktorët që kanë ndikuar në këtë fenomen konsiderohen dy: I pari është ndërkombëtar dhe lidhet me krizën e çmimeve që shkaktoi lufta në Ukrainë, ndërkohë; i dyti, edhe më i rendësishmi lidhet tërësisht me faktorë lokalë dhe ka të bëjë me pastrimin e vrullshëm të parave që po ndodh sëfundmi në Shqipëri.

Deri më tani, ndërtimi është parë si sektori më i përshtatshëm ku mund të pastrohen shumë lehtë qindra miliona euro brenda një kohë të shkurtër. Jo më kot, Tirana dhe e gjithë Shqipëria janë përmbytur nga leje ndërtimi, të cilat shtohen nga tremujori në tremujor.

Hapësira e ndërtimit në Tiranë sipas tremujorëve. Burimi: INSTAT. Punimi grafik: Abcnews.al

Sipërfaqja

Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, vetëm në Tiranë janë dhënë 112 leje ndërtimi me një sipërfaqe kolosale prej më shumë se 800 mijë metër katror,  ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë sipërfaqja totale për tremujorin e parë është diçka më shumë se 1 milion metër katror.

Leje ndërtimi në Tiranë sipas tremujorëve. Burimi: INSTAT. Punimi grafik: Abcnews.al

Në total, që prej janarit 2021 deri në mars 2022, sipas INSTAT, në Tiranë janë dhënë 2 449 507 metër katrorë leje ndërtimi. Kjo është një hapësirë tmerrësisht e madhe për një kryeqytet me jo më shumë se 1 milion banorë.

Vlera

Vlerësohet se gjatë kësaj periudhe, pra nga janari 2021 deri në mars 2022, vlera e sipërfaqes së ndërtimit në Tiranë të kapë shifrat e rreth 86 miliard lekëve ose rreth 760 milion dollar. Kjo është shifra mesatare e deklaruar, ndërkohë që eksperienca ka treguar se çmimi real i tregut për këto struktura banimi, të cilat janë kryesisht në qendër ose përreth qendrës së kryeqytetit, është të paktën dyfish. /abcnews.al

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej