Prokuroria e Posaçme nuk po ja del ende të dërgojë pas hekurave “mamuthët” e korrupsionit. E vetmja fitore është arrestimi i Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, pasi shumë dosje të tjera flenë nëpër sirtarët e prokurorëve.
Nëse shohim statistikat e publikuara nga vetë SPAK, vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 50 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin.
Ndërkohë, prej 3 vitesh janë në duart e prokurorëve me dhjetëra dosje të bujshme, ku të akuzuar janë ministra e deputetë. Por asnjë prej këtyre dosjeve nuk ka shkuar deri në fund.
Disa prej dosjeve që po hetohen dihet tashmë. Një ndër aferat më të mëdha është padyshim marrëveshja CEZ-DIA. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, në duart e prokurorëve është një padi e juristit Romeo Kara, i cili ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta. SPAK po e heton këtë dosje dhe po lufton fort që të marrë si dëshmitar ish-administratorin e DIA, Kastriot Ismaili. Po ashtu janë pyetur shumë emra të tjerë të përfshirë në aferë.
Dosje më vete është ajo e privatizimit të OSHEE nga CEZ. Në këtë dosje është paditur ish-kryeministri Berisha.
SPAK ka në dorë 4 dosje të tjera kundër Ilir Metës. Kemi një padi për shpërdorim detyre, një tjetër për lobimet në SHBA. Po ashtu për ndërhyrjet estetike. Ka një padi dhe për fshehje pasurie.
Dosje tjetër është ajo e Kompleksit Partizani. Kemi një padi ndaj ish-kryeministrit Berisha, ish-ministrit Arben Imami dhe dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit. SPAK ka marrë disa persona në pyetje, por ka harruar të pyesë të zotin e punës, Sali Berishën.
Nuk duhet harruar dosja e Gërdecit. Nën hetim është Fatmir Mediu, por nëse SPAK mund të thellohet, mund të rrezikohet Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit. Ndaj tij ka pasur akuza se ka qenë i përfshirë. Vetë Mediu e ka pranuar se ka pasur një telefonatë me të pas shpërthimit.
Një dosje që mund të shkundë klasën politike është ajo e vrasjes së bankierit Artan Santo. SPAK ka rihapur hetimet dhe falë dëshmitarëve të penduar ka zbuluar shumë të dhëna. Madje thuhet që në duart e prokurorëve ka rënë dhe një kasetë ku përmenden emra politikanësh. Por deri më tani nuk ka pasur asnjë zhvillim nga SPAK.
Po ashtu kemi dhe një padi të Izet Haxhisë ndaj Sali Berishës. Ai e akuzon atë për 23 vepra penale dhe ka dhënë orë të tëra dëshmish në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por që dosja ka kaluar në SPAK. Kjo doje është mbuluar nga pluhuri.
Kemi patjetër inceneratorët, ku PD ka paditur edhe emra të tjerë si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Engjël Agaçi, Erion Veliaj, etj. SPAK pak ditë më parë nisi një valë të dytë arrestimesh, por “peshqit e mëdhenj” mbetën jashtë rrjetës.
Emër tjetër që duhej të ishte në burg është Ilir Beqaj. SPAK ka thelluar hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe atë të check-up dhe ish-ministri Beqaj është i padituri kryesor. Por asgjë nuk po ndodh me të.
Më pas janë dhe disa padi që palët politike ja kanë bërë njëra-tjetrës. PS ka paditur deputetin Xhelal Mziu, ndërsa PD ka paditur kryebashkiakun e Dibrës.
Ndërkohë nën hetim është edhe deputeti Zef Hila, për kohën kur ishte kryebashkiak i Vaut të Dejës.
Pra, SPAK ka në dorë afro 15 dosje të bujshme dhe deri tani nuk kemi asnjë prej “mamuthëve” të korrupsionit të arrestuar. Në dhjetor Arben Kraja do largohet dhe ndoshta nis një epokë e re në SPAK. Por presioni sa vjen dhe shtohet se pse tani Prokuroria Speciale futet në vitin e katërt dhe nuk kamë justifikime se duhet kohë për hetimet. /Pamfleti