SPAK rihap dosjen e Thesarit të Shkodrës, pse trembet Ilir Meta?!

Nga Sokol Pepushaj

Fakte të reja të grupimit kriminal, “kërkoheshin” gjithandej dhe ja ku paskan qenë, brenda dosjes, të mbyllura nga vetë strukturat kriminale që kanë ndryshuar edhe datën e grabitjes së Thesarit të Veriut nga 16 mars, në 22 qershor 1997.

Pra, pas rihapjes së dosjeve të Gërdecit, vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Artan Santos, nga burime të besueshme, mësohet se SPAK-u ka në tavolinë edhe dosjen e grabitjes më të madhe në Shqipëri, Thesarit të Veriut. Kjo vjedhje, kompromenton gjithë aktorët e politikës, drejtësisë, pushtetit dhe medias që hesht kur duhet të flasë e plasë ca “tymçe” në kohë me diell.

Tek thesari i Shkodrës e kanë ngjyer gishtin të gjithë…

Pas “perdes” së trashë, këtë sakrificë torturuese, po e vuajnë katërshja Berisha, Meta, Nano dhe Rama, por në skenë po luhet me “hilen” bajate, provokim konfliktesh brenda llojit. Pra, metafora është idiote, të paktën për drejtuesin e ri të SPAK-ut dhe strukturat perëndimore që u janë “qepur” të tëra dosjeve të mbyllura të 32 viteve të fundit.

Ilir Meta po heq “mish” nga trupi i partisë, po bën pazare politike për t’i dhënë Bablokut ca vota, vetëm e vetëm për të fshehur nëpër dosjet e harresës thyerjen e Thesarit të Shkodrës.

Por ndarja e plaçkës po bëhet me hile

Hile në kurriz të gjithë shqiptarëve që presin drejtësinë e munguar. Ja, a ka mashtrim më banal se pas grabitjes, të zhvillohen hetime “intensive” tetë vjeçare nga qeveria e Fatos Nanos, e pas vjedhjes nga taksat tona të miliona dollarëve për specialistë, prokurorë, hetues e spiunë, të manipulohen zyrtarisht faktet, të falsifikohet data e thyerjes, nga 16 marsi i vitit 1997 në 22 qershor 1997.

Ngjan si përrallë me mbret…

Por jo, kjo është e vërteta e dhimbshme. Në dijeni për falsifikim të qëllimshëm të thyerjes së Thesarit të Shkodrës janë të tërë; nga Berisha, Nano e Theodhori Sollaku, Fatos Klosi, Petro Koçi, Adriatik Llalla, Arben Kraja dhe deri tek Altin Dumani.

Ndër këta, më i pafajshmi është Babloku.

Se po të jetë puna tek datat, Edi Rama nuk mban mënd asgjë nga kjo ngjarje. Aso kohe ishte për vete me dhëmbë të thyer nga Saliu. Babloku i vockël ishte në koma politike dhe ekonomike. I varfër, i rrahur, i fyer. Sa herë donin, spiunët e doktorit e rrifnin me shputa. U dukej mistrec që shkarravitë në fletë të bardha, nëpër mure dhe gazeta ca ide të çmendura, por para as për proteza nuk kishte. Flitet se Saliu porositi njëfarë B.B. t’a ndihmojë djalin e Kristaqit për të vënë dhëmbë të rinj.

Sot Babloku është mirë me dhëmbët, por keq me “këmbët”

Këmbët e pushtetit i janë kalbur e po rrëzohet. Të tëra dosjet e mbyllura, janë në radhë për t’u rihapur.

Ja, për Thesarin e Shkodrës, por edhe atë të Krrabës, ta thërrasë SPAK-u ish prokuror Theodhori Sallakun, se të tëra i nxjerr fët e fët, e nuk merret me përralla medemek kundër Sali Berishës.

Me përralla le të merret Babloku, që as ky nuk vete në banjo pa i dhënë leje mjeshtri i antiamerikanizmit, Saliu.

Sallaku dhe gjithë mafia që mori pjesë në falsifikim të grabitjes së Thesarit të Veriut, duhen arrestuar. Hapeni dosjen e zezë, keni vjedhur fondet publike për të deformuar dosjet e drejtësisë.

Pjesë nga dosja juaj e zezë.

“Hetimet për këtë çështje janë rihapur disa herë, por pa emra konkretë të implikuar. Ndërsa nga informacionet e fundit, të siguruara në mënyrë operative, rezulton se në këtë grabitje janë përfshirë pesë persona, dy prej të cilëve janë vrarë më pas, ndërsa tre të tjerët ushtrojnë aktivitete private në Shkodër dhe janë ndër biznesmenët e njohur vendas. Grabitja e Thesarit të Veriut ndodhi më 22 qershor të vitit 1997. Një antitank shpërtheu dyert e godinës, ku ndodheshin më shumë se 8 milionë USD, për të marrë prej andej gjashtë prej tyre, të gjitha prerje dhjetë dhe pesëmijë lekëshe, ndërsa prerjet dymijë lekëshe (rreth 2 milionë dollarë), nuk u morën, për shkak të volumit të madh”.

Ja pra, është falsifikuar data me qëllim fshehje krimi, nga vetë strukturat brenda prokurorisë e hetuesisë, gjykatës e avokatisë, prandaj sot bën lajm titulli; SPAK rihap dosjen e Thesarit të Shkodrës, pse trembet Ilir Meta?!/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej