Prokuroria Speciale SPAK ka dhënë detaje zyrtare për operacionin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Frakull të Fierit, ku janë arrestuar 10 shtetas shqiptarë dhe është shpallur në kërkim një person tjetër.
Prokurori Adnan Xholi, i cili drejton hetimet për këtë grup kriminal, ka thënë në një deklaratë për mediat nga selia e SPAK se një ndër financuesit shqiptar është prangosur. Ai tha se në total janë sekuestruar 20 paleta me në total 24 ton pleh kimik, ku dyshohet paraprakisht se është tretur 400 kg kokainë.
“Ekzistonin të dhëna që në muajin maj 2022 në Portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një sasi me pleh kimik artificial. Me destinacion Greqinë dhe më pas Malin e Zi, me porositës një shtetas shqiptar. Në bashkëpunim me Malin e Zi është bërë dorëzimi i kontrolluar. Rezultoi që porositësi ishte shtetasi shqiptar që në janar 2022 kishte hapur kompani importi.
Pasi sasia është dërguar në territorin shqiptar në muajin shtator 2022. Është bërë zhdoganimi. Zhvendosja në disa qytete, deri ditën e djeshme kur është bërë operacioni në Frakull, të Fierit.
Nga Gjykata e Posaçme janë pranuar kërkesat për arrestimin e 11 personave dhe janë kryer disa kontrolle. Nga Policia e Shtetit janë ekzekutuar 10 masa sigurimi dhe janë kryer të gjitha kontrollet e banesave të urdhëruara nga Gjykata”, u shpreh prokurori i SPAK, Adnan Xholi.
Çfarë u sekuestrua nga operacioni i drejtuar nga SPAK:
- 15 mijë euro
- Tre armë zjarri kallashnikov
- 3 pistoleta
- 108 copë fishekë
- 18 telefona
- 5 makina
- 20 paleta me 24 ton pleh kimi. Dyshohet se ka 400 kg kokainë, vlera 40 milionë euro.
“Për rastin konkrete sikundër thashë, ka ardhur aq tonelatë sa u nis, aq sa është kapur dje. Ky rast ka qenë në monitorim dhe s’ka lëvizur asnjë gram. Një nga financuesit është ndaluar”, vijoi prokurori Xholi. Ai garantoi se asnjë gram nga ngarkesa nuk është prekur rrugës, e po ashtu falenderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin.
Bashkë me kreun e SPAK Arben Kraja, ata mohuan çdo mundësi dekonspirimi, duke e konsideruar bashkëpunimin si “të shkëlqyer”.