Sulme kibernetike në gjithë Evropën, si e paralajmëroi SHISH

Sulmet kibernetike nuk janë një histori shqiptare. Bashkë me të mirat, lehtësimin e jetës së qytetarëve, bizneseve, bankave, zhvillimit të ekonomisë dhe përsosjes së sistemit të komunikimit, zvhillimi i teknologjisë ka edhe rreziqet e veta.  Një nder to janë sulmet. Sulmet kibernetike, sot janë sfidë për sigurinë në mbarë botën. Lufta ndaj tyre është edhe prioriteti kryesor i vendosur nga NATO, në kushtet kur Rusia cilësohet si kërcënim për gjithë Perëndimin.

Ekspertët e fushës thonë se Moska është vendi nga ku dërgohen sulmet më të mëdha kibernetike.

Në fillim të këtij viti, Gjermania u godit nga sulmet kibernetike që kishin si synim impiantet e prodhimit të energjisë me erë. Befas kontrolli i mijëra turbinave me erë nuk po funksiononte.

Sulmi solli bllokimin për pak kohë të impianteve ndërsa autoritetet dyshuan se ishin hakera rus pasi sulmi ndodhi ditën kur ushtria ruse pushtoi Ukrainën.

Ukraina ka qenë në qendër të sulmeve të vazhdueshme kibernetike nga Rusia. Se fundmi 70 faqe interneti të organeve qeveritare në nivel qendror ranë pre e këtij sulmi ndërsa qytetarët u paralajmëruan të ishin gati për skenarin më të keq.  Sulmet u dënuan ashpër nga Bashkimi Europian dhe diplomati i lartë Josef Borell.

Borrell tha se sulmi kishte prekur edhe disa vende të BE-së ndërsa shprehu hapur se Rusia mund të shenjestronte edhe vende të tjera duke vënë në rrezik sigurinë në Evropë.

Edhe Kosova është përballur vazhdimisht me sulme kibernetike. Në shkurt të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, konfirmoi lajmin se ishte përballur me një sulm me përmasa më të mëdha por që nuk i dëmtoi informacionet apo të dhënat.

Sulmet kibernetike janë nje veprimtari kriminale përmes të cilit keqpërdoren sisteme dhe të dhëna kompjuterike në rrjetin e komunikimit.

Pre e tyre ndër vite, kanë rënë me dhjetëra institucione dhe organizata të ndryshme në mbarë botën si Britani, Spanjë, Itali, Portugali apo Vietnam duke shkaktuar dëme të mëdha.

Në sulmet kibernetike të kryera në qershor të vitit 2017, e gjithë Bota ngriu pasi me mijëra kompjutera dolën jashtë funksionit dhe sistemet në mbarë botën patën probleme.

Në shumë porte detare, nga Bombei deri në Los Angeles të Amerikës, ndali aktiviteti.

Edhe në raportin më të fundit të tij, Shërbimi Informativ i Shtetit konstatoi se niveli i kërcënimeve kibernetike është në rritje dhe ato janë shndërruar në një kërcënim për mbarë botën.

“Aktorët shtetërorë kundërshtarë po investojnë për të zgjeruar shkallën dhe fuqinë e programeve kibernetike të rrezikshme, duke i trajtuar ato si një mjet të politikës së jashtme, në kuadër të rivalitetit me faktorin perëndimor, por edhe si aktivitete hibride me synime presioni, përkundrejt lehtësimit të sanksioneve perëndimore kundrejt tyre”, thuhet në raportin e ShISH.

“Shërbimet e inteligjencës së vendeve jo-mike zhvillojnë operacione të spiunazhit kibernetik për të grumbulluar informacione në përgjigje të prioriteteve të politikave të tyre të brendshme dhe të jashtme”, konstaton SHISH.

Në këto kushte, sfida më emergjente globale është pikërisht investimi në sigurinë e sistemeve dhe rrjeteve.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej