Tabaku: Mos bëni tangërllik me fondet e BE-së, për 8 vite ndryshuat 4 herë koordinatorin

Në seancën e sotme plenare në Kuvend po diskutohet marrëveshja me Komisionin Europian për asistencën financiare me Shqipërinë.

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit ka ngritur shqetësimin që qeveria shqiptare ka ndryshuar strukturën e fondeve.

“Kam ngritur me shqetësim faktin që qeveria ka ndryshuar strukturat për menaxhimin e fondeve të donatorëve. Ka ndryshuar koordinatorin e IPA nga ish-kryenegoaciatori, në një drejtori zyre të re në kryeministri tek zoti Ilir Beqaj. Nuk dua të merrem me integritetin e tij, duhet t’ja lëmë drejtësisë.

Dua të merrem më shumë me strukturën që ka ngritur qeveria shqiptare. Për mua e copëzojnë procesin, duke krijuar më shumë vështirësi. Për herë të parë në këto vite, qeveria shqiptare e ka ndryshuar 4 herë në 8 vite koordinatorin e IPA

Kjo ka sjellë problem në përthithjen e IPA-s. Ne nuk mund të lejojmë që fonde të tilla të mos përfitohen.

Qeveria shqiptare ka aftësinë që një në dy euro të BE ti marrë ti absorboje dhe të zbatojë projekte. Kjo aftësi kaq e ulët për të përthithur fondet IPA në një situatë kaq të vështirë, kur ne i lutemi BE për rindërtimi, pandeminë etj., tregon mosgatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ngritur strukturë transparente.  Sot ndodhemi në një situatë të vështirë ekonomike”, tha Tabaku.

Tabaku theksoi gjithashtu se në kushtet e një krizë ekonomike, Shqipëria nuk ka luksin të refuzojë fondet e BE.

“A kemi luksin ne të bëjmë tangërllik dhe ti refuzojmë fondet e BE dhe mos pranojmë atë që na vjen në mënyrë të natyrshme si pjesë e procesit të aderimit. Sot strukturat duhet të ishin të akredituara dhe të gatshme për të thithur këto fonde, ndërkohë që ne jemi në një situatë kur këto janë në proces e sipër rregullimi dhe akreditimi, janë duke u marrë më bën apo nuk bën Ilir Beqja”, u shpreh deputetja e PD.

Pas miratimit të marrëveshjes IPA III nga Kuvendi, do të nisë dhe disbursimi i fondeve nga programi IPA 3, që ka një afat deri në vitin 2027.

Fillimisht pritet miratimi i IPA 2021 me rreth 65 milion euro dhe në 6 tetor nga Brukseli pritet të miratohet edhe IPA 2022, me një fond 79 milion euro.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej