Të duam Sali Berisha!

Nga Poli Hoxha

Nuk e harroj habinë dhe mahnitjen që më shkaktonte eksperimenti në lëndën e kimisë në tetëvjeçare, me letrën “Lakmus”. Ato ishin të kuqe dhe blu. Kur i fusnim në tretësira të caktuara, ndryshonin ngjyrën. Herë në blu e herë në të kuqe, duke na treguar në të vërtetë se çfarë ishte lënda që më parë dukej e pastër qibar.

E doja lakmusin sepse më hapte sytë për të vërtetat, të cilat nuk mund ti dallosh dot kurrë “në pamje të parë”.

Sot për shumëçka “E dua Sali Berishën”, sepse është shndërruar në një lakmus perfekt të asaj që është në të vërtetë politika, biznesi, media, partitë dhe karakteret njerëzore të krijua gjatë këtyre 32 vitesh tranzicion.

Pa Sali Berishën me Ramën dhe Metajn në krahë, kurrë nuk do ta mësonim se klasa jonë politike është shumë e zgjuar, e zonja dhe e shkathët për të siguruar mirëqenie të familjeve të tyre në breza, kurse ne të gjithë të tjerët jemi budallenj. Se ata janë liderë të pazëvendësueshëm, kurse ne jemi të lindur me fat që i kemi.

Se të lëpish atë që ke pështyrë vetëm pak muaj më parë dhe të hedhësh gëlbaza mbi gjellën që ke gatuar vetë, është diçka normale. Ata janë retë e qiellit. Kur përplasen dhe ndahen, na lejojnë edhe shiun edhe diellin. Janë ata, pa jemi ne dhe vetë Shqipëria!

Si të mos e duash Sali Berishën kur sheh që Grida Duma që mban çdo ditë Akademi me të rinjtë që duan të bëhen politikanë perëndimorë, vetë-dorëzohet “në thes” te ai që nuk e do Perëndimi e pastaj gradohet “Nora e Kelmendit”, edhe pse vetëm pak kohë më parë e ka quajtur shefin e ri “shejtan”?!

A mundesh ti rezistosh admirimit ndaj Sali Berishës njësoj si ndaj lakmusit, kur përbetohet për muaj me radhë se Lulzim Basha nuk shkon dot në SHBA se e arrestojnë dhe kur del blof, bën sikur “nuk e ka mendjen” dhe i fut një të kapërcyer me një gotë verë të kuqe mashtrimit permanent, që ju bëri mijëra demokratëve që e ndoqën?!

Si të mos i ngresh një monument Sali Berishës me mbishkrimin “Lakmusi i Tranzicionit mashtrues”, kur vetëm ca vite më parë i thoshte në mes të parlamentit Ilir Metës, “vrasës, koka e korrupsionit, Like Floriri” e plot të zeza, kurse sot e ka aleat të ngushtë dhe e gradon “Trim”?!

Sali Berishën duhet ta duan dhe ta mbajnë mbi kokë të gjithë ata që mësuan se sa llum dhe “dumbabistë” paska pasur Partia Demokratike dhe gjithë Shqipëria, që nga shtresëzimet më të ulëta të militantëve, e deri të deputetët në parlament.

A do ta mësonit dot ju po të mos ekzistonte Rama, Berisha, Metaj se kur je politikan dhe në krye të shtetit pasurinë e pamat e bën “me zotësi’ brenda pak vitesh, kurse ti duhet tu trashëgosh fëmijëve të tu varfërinë që “gëzove” nën pushtetin e tyre?!

A do ti kishit njohur dhe parë kështu kaq lakuriq “miqtë”, “gazetarët e pavarur”, “intelektualët” dhe shokët e idealit të partisë, nëse Berisha nuk do të niste luftën e pamëshirshme vetëm 24 orë pasi Basha i tha hap krahun deri sa të sqarosh “non gratën” për korrupsion dhe si minues i demokracisë që të dha mamia e PD-së SHBA?!

Sali Berisha i ka bërë këtij vendi një shërbim historik dhe pikë!

Na tregoj se kur vjen puna për “ pushtetin, katandinë dhe pasurinë” të gjithë janë bashkë; haxhiqamilët, enveristët, Edvini, Sala, Likja, Sandri, Vjollca, Klodi, Tani, Samiri, Shefqeti, Salillari, Toma, Qifja… e një aradhë analistësh, mediesh, biznesesh, spiunësh, trafikantësh- biznesmenë ose jo, fajdexhinjsh, hajdutësh e ish hajdutësh në shtet e “në privat”.

Berisha na zbuloj hapur, (jo se të gjithë nuk e dinim), se edhe krimin e kanë bashkë. Madje edhe Baton Haxhiu Stanisiçin, “agjentin e UDB-së”, e kanë bashkë.

Edhe bankat, Qendrat Tregtare, Gent Sejkon, Ridvan Boden e Anastas Angjelin në Bankën e Shqipërisë, SHISH-in, kupolën e Policisë së Shtetit, trojet e pafundme të rrëmbyera në bregdet, resortet, televizionet, portalet, lejet e ndërtimit dhe komplekset me pallate të Erion Veliajt…

Të gjitha i kanë bashkë, pavarësisht se kush ka më shumë dhe më pak “aksione”. Pavarësisht  se sipas radhës së pushtetit ca përfitojnë më tepër dhe ca më pak, por bashkë dhe të pazgjidhshëm janë.

Nderi, shërbimi historik që Sali Berisha i bëri Shqipërisë pa dashje dhe në tentativë për të shpëtuar veten nga damka amerikane dhe britanike, është i paçmuar. Tani të gjithë e dinë fiks, se çfarë e ka mbajtur peng Shqipërinë dhe mirëqenien e shqiptarëve të cilët janë shndërruar në popull bredhacak nëpër botë.

Ndaj të duam Sali Berishë Lakmusi dhe sinqerisht lutemi, që së bashku me Ramën dhe Metajn, ta çoni këtë mision deri në fund!

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej