Terenc Pepa, fotografi që fokuson shpirtje dhe hire të bukurisë shkodrane

Nga Albert Vataj

Ndoshta i kapluar prej grackës së mallit për Shkodrën, m’ka ba me e rrok me adhurim punën e fotografit, Terenc Pepa. N’Shkodër, u lind fotografia, njaty bani histori, e bash në atë truall e trok zemre, andje dhe shpirtje, ajo përkund njata që tue e vazhdu kyt traditë e mbajnë këtë qytet si kryeqendër të forcës dhe energjisë së talentit.

N’kandvështrimin tem, si admirus i fotografisë, i t’bukurës i asaj lande t’hyjshme, që i shndërron pasionet në vepra, mundem me than se fotografi, Terenc Pepa e meriton me mbajt mbi supe përgjegjësin krijuse si vazhdues i një tradite lavdiplotë.

Pasioni asht energjia e vetme, hyjnia e së cilës e ka stolisun botën me sublimitetin e aktit krijues, si me një dritë t’shkëlqimtë te ajo që ka pru fotografia e Terencit, i cili gjatë periudhës 2006-2007 e ka pas t’pamujtun me ken veçse nji sy dhe fokus Shkodrës dhe Veriut të Shqipnisë. Asht kjo përkatësi gjeografike, kjo larmi e shpërblimit të vet krijuesit, i cili ka ngas në një epje të papajtueshme fotografin, me fokusu gjithçka dhe me ken sy që s’lejon me shterru asnjë pikë prej kësaj ujëvare vendesh t’mrekullueshme.

Asht kjo magji që s’do të mundte të vinte deri te andja jonë me njaq dritë e vezullim, me njaq gjithëpamësi e magjepsje, pa fokusin e këtij fotografi.

Fotografia nuk asht thjesht nji shkrepje e nji aparati mbi një objektiv të çfarëdo, asht përjetësim shpirtnor i nji çasti, i cili mundet me mëtu vetëm prej njaty. Fotografia, por ma shum’ se ajo, syni qi sheh thellsinë e nji përjetimi, vjen për me mbet plazmim n’eterin e nji ndijimi, i cili mbruhet për me mëku tashmërisë çastin që e magjeps atë.

Nuk e di por kamera n’synin e një t’apasionumi asht thjesht nji shkreptim vetëtime, asht ai moment i pakthyshëm që memorizohet për me mbet, behje dhe prehje, hir dhe mëtim, kujtesë dhe mall. Në çdo çast të vetëm asht bota krejt, e cila njashtu e fragmentime në nji blic, e pranon çastin si nji medaljon solemniteti.

Sod nuk asht e vështir me gjet t’apasionum t’fotografis, por fotograf munden me ken njata qi fokusojnë një plan, një objekt apo çfarëdo, duke ju bind shpirtit. Ti mundet me ken gjithkund e me pa gjithçka, por duhet me ken i mbushun me dritë pasioni dhe ndijimi me e fokusu çasti, njat qi asht një tharm mrekullimit, me t’cilin krijuesi na shpërblen.

Syri i fokusit të aparatit të Terenc Pepës na njeh me vende, natyra dhe bukuria e të cilave i ban ata copëza parajse në tokësoren tonë. Terenci njihet dhe është vlerësuar, për atë që ai ka kërku dhe ka gjet te fotografia, te video, te ndalimi i kohës në një vijueshmëri që merr trajt emocionale. Ai ka pas mirsinë me na prezantu me vende dhe mahnitje të bukurisë shqiptare, kryesisht asaj t’Shkodrës, Malcisë e Veriut n’përgjithsi. Ai tue i pru krejt nga nji kand vetjak, nga një pamje ndryshe, na bahet se na shihena për spariherë me vende që edhe pse i njohim, ai i rilind, i ribën, i mbush me dritë dhe ngjyra, tue na mrekullu n’kët takim dehës.

Prekja që ai i bën momentit përmes një shpërfaqja nën një ngjyrim të ri pamshmërie, bën që e zakonshmja të stoliset me një thellësi drite që sheh, njaq gjerë, e thella, sa na kurrë s’kena mujt, edhe n’se kena dasht. Pra njat realitet të zakonshëm, Terenci e mbush me jashtëzakonshmeri, që i buron nga brenda, nga pasioni, nga dëshira për ta shndërruar fokusin në një sy gjithëpamës.

Nuk e teproj n’se pohoj mbi aftësinë që ky fotograf ka me i riba gjanat në thelbin e tyne, duke i ba magjepsëse, kjo si për fotot njashtu edhe për videot. Sepse kjo dehje e të bukurës kalon përmes fokusit të tij për të marrë një fuqi shprehëse të denjë për adhurim.
Çfarë i shpëtoi penelit të piktorëve, e ka të pamundur t’i bishtnojnë syrit dhe fokusit sqimatar dhe qëmtues, kureshtar dhe kumtues, të Terenc Pepës.

Të gjithë krijuesit shkojnë në takim me përjetimin me syt e andjes, Terenci i shton këtyne edhe qiellin, vështrimin me syt e zogut dhe shpirtit.

Padyshim që ai është një vazhdues i denjë i traditës së fotografisë shkodrane. Edhe pse ende i ri, ai ka udhëtuar duke bërë një rrugë të mbushur me vepra të vlerta dhe një komunikim estetik përmes fotografisë ekselent.

Ndoshta do të duhej për CV, Terenc Pepa u lind në Shkodër më 8.10.1987. Asht diplomu në shkollën artistike “Prenke Jakova”, ku u ngjiz për t’u shndërru në një robërim, pasioni për fotografinë dhe teknologjine, duke fillu dhe bachelor në inxhinieri informatike.

Ka punuar 14 vite në Keshillin e Qarkut Shkoder, si specialist IT. Gjithashu me të njajten peshë dhe përgjegjësi ka përballu këtë angazhim edhe për “Colosseo Hotel”, “Hotel Golden Palace”.
Kamera e Terencit ka fokusu me të njëjten naltësi të përgjegjësisë dhe përkushtimit edhe nji prej fatkeqësive natyrore që ka mbet shënjim në CV-në e tij krijuese, bahet fjalë për përmbytjet e 2010-2011, punë e cila ka terheq vemendjen e shume medieve, vendase dhe t’huja.

Gjithashu Terenc Pepa asht i angazhum në televizion StarPlus, për 8 vite si IT. Por foto janë kohë qi ai ia kushton pasionit, i cili i ka sjell edhe përfitime motivuse, me besu e me ju kushtu këtij arti. Ai asht shpërbly me vendin e Tretë në Ballkan dhe të Parin në Shqipëri në kompeticionin “Creative History Balkans Tour” me foton e kalasë “Rozafa”, duke e promovuar atë. Njikohësisht ka marrë vlerësim me vendit e Tretë në konkursin e fotografisë nga Banka Botërore. Ai këto trofe nuk i ruan si triumfe të punës dhe talentit të tij, por si meritë që ai ka përfitu për me promovu bukuritë, historinë, dhe vlerat turistike në tansi.

Ai ka në projektet e tij ambicioze asht realizimi i nji projekti te fitum për video dhe foto promovuese për Veriun. Ky projekt mbështet nga Ministria e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Edhe pse derimtash të gjithë pajisjet për realizimin e fotove dhe videove, janë barrë për mundësitë e tij minimale financiare.

Ky asht në mënyrë shprehëse profili i fotografit dhe jo vetëm, i Terenc Pepës, të riut që premton, si në multimedia ashtu edhe në teknologji, por për s’pari dhe për s’mbrami, ka me ken fotografia ajo që ka me e përfaqësu atë. Sepse asht pasioni për të bukurën, asht thirrja e shpirtit krijues tek ai që do ta robërojnë në magjepsjen e imazhit. Ne e kemi parë, e shohim dhe do të vijojmë ta përcjellim Shqipërinë tonë të begatë, Shkodrën tonë të mallit, Veriun e epikës dhe legjendave, përmes fotografise dhe videos së Terenc Pepës, si përmes thjerrave të një vezullimi ndijues.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej