Ish-kreu i DIA, Kastriot Ismailaj është liruar sot nga qelia. Ai qëndroi në burg për 9 vite për shkak të aferës CEZ-DIA gjatë qeverisë Berisha-Meta, por sot ka mbyllur dënimin.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Artan Hoxha, i cili shprehet se ai ka lënë qelinë sot në mesditë.
Ismailaj ka qëndruar në paraburgim rreth 2 vjet e 6 muaj që ju llogariten në 3 vjet e 9 muaj. Nga tetori i 2017 deri në mesditën e sotme 7 shtator 2023, ai ka vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
Ai u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar, nën akuzën “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë.
Mirëpo lirimi i tij tremb vetëm një person: Ilir Metën. Ky i fundit cilësohet si personi që bashkëpunoi me Ismailajn në këtë vjedhje masive. Vetë gruaja e Ismailajt ka deklaruar se Meta mori shumë para prej tij. Tani mbetet të shihet nëse Ismailaj do flasë apo do bashkëpunojë me drejtësinë. SPAK po e heton Metën për aferën në fjalë dhe lirimi i tij ka shkaktuar panik në Gjirin e Lalësit.
Postimi i gazetarit Artan Hoxha
Sot në mesdite është liruar pas 9 vitesh burg, Kastriot Ismailaj, i pronari i kompanisë DIA.
Autoritetet e Burgut te Fierit, pasi plotësuan të gjithë dokumentacionin dhe verifikuan afatet e dënimit, vendosen të lirojnë nga burgu biznesmenin e përfshirë në skandalin CEZ-DIA qe trazoi politiken shqiptare për vite me radhe.
Kastriot Ismailaj, biznesmeni i përfshirë në skandalin CEZ-DIA, u dënua me 11 vjet burgim në tetor të vitit 2017 nga Gjykata e Tiranës.
Ismailaj ka qëndruar në paraburgim rreth 2 vjet e 6 muaj që ju llogariten në 3 vjet e 9 muaj. Nga tetori i 2017 deri në mesditën e sotme 7 shtator 2023, ai ka vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë.
Sipas akuzës, Ismailaj duke falsifikuar dokumentat arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë Euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer.
Çështja u rikthye në dyert e SPAK pas një kërkesë që deputeti Taulant Balla bëri për rigjykimin e dosjes në vitin 2020 në ngarkim të disa personave, ndër ta edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Biznesmeni ishte pronari i kompanisë “DIA”, e cila lidhi marrëveshje me “CEZ-Albania” me qëllim mbledhjen e borxheve financiare të klientëve që kishin detyrime financiare në mospagimin e energjisë elektrike në Shqipëri.
Por kjo marrëveshje ishte një dështim total dhe mashtrim me vlerë dëmi 5 milion euro. Për shkak të humbjeve të mëdha, që pësoi kompania me qendër në Pragë dhe mos mbledhja e borxheve, shteti Shqiptar vendosi të largojë firmën energjitike Çeke,“CEZ-Albania”.
Për rrjedhojë CEZ, nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet dhe Shqipëria u detyrua t’i paguajë CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.
Ndërsa në Shqipëri, prokuroria nisi paralelisht një proces penal, duke arrestuar e dënuar me 11 vite burgim Kastriot Ismailaj.
Njëherësh këtij të fundit ju konfiskuan 5 milion euro në llogaritë e tij bankare, duke ja kaluar buxhetit të shtetit. Marrëveshja “CEZ Albania” dhe “DIA”, vijon të hetohet nga SPAK dhe shfaqë shqetësim për funksionare dhe ish-funksionare të lartë të shtetit.