Testi “Beqja”/ Kush e kontrollon SPAK, Rama apo amerikanët?

SPAK kishte dy vjet që hetonte “sterilizimin”, kur kryeministri Rama emëroi Ilir Beqjan në krye të Agjencisë për ndihmat e donatorëve. Koncensioni konsiderohet një nga aferat simbol të korrupsionit qeveritar. Ndëshkimi për këtë aferë korrupsioni do të ishte argument i fortë i ambasadorëve se drejtësia e re po funksionon.

Por u deshën 3 vjet hetime që Ilir Beqaj të thirrej në prokurori. Marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe ambasadorëve janë tendosur si rrallë herë dhe prej ditësh ai valëvit flamurin e sovranizmit.

Mesazhi i Juri Kim për Ilir Beqjan

Promovimi i Ilir Beqajt në krye të një agjencie shtetërore që merrej me donacionet e huaja ishte një mesazh edhe për prokurorët e SPAK.

Dhe për t’ia çuar të njëjtin mesazh edhe ambasadorëve, ata u thirrën në një tryezë të organizuar në datën 21 Nëntor të vitit 2021 nga Bledi Çuçi. Duke ditur se as Juri Kim dhe as Luixhi Soreka nuk e kishin me sy të mirë Beqajn, fjala e tij nuk u shënua në axhendë. Prandaj kur ai nisi të flasë, për ambasadoren amerikane ishte “too much”.

Ajo palosi letrat që kishte para dhe u çua nga nga tryeza në mënyrë demonstrative. Braktisja e takimit nga Juri Kim ndërsa fliste Ilir Beqja dha një mesazh të fortë, se rehabilitimi i tij nuk do të pranohej nga amerikanët, të cilët kanë ndikim të fortë në SPAK.

Rezistenca e Ramës për arrestime të tjera në PS

Miqësia mes Edi Ramës dhe Ilir Beqjas është e hershme. Në rini, të dy qenë basketbollistë në skuadrën e Dinamos. Beqja qe një nga prurjet ekskluzive të Ramës në Partinë Socialiste, që vazhdoi më pas me zgjedhjen si deputet dhe katapultimin si ministër. Me pak fjalë, të dy njihen prej një jete.

Rama e përtypi në heshtje burgosjen e Lefter Kokës, Saimir Tahirit dhe Alqi Bllakos pas fitores së 25 Prillit, por sinjalet që vijnë për Ilir Beqjan nuk po i kalon lehtë. Thirrjes së tij në prokurori i paraprin një sulm i vazhdueshëm kundër prokurorëve të SPAK.

Pakënaqësitë e para u shprehën në Kongresin e Partisë Socialiste kur kryeministri u ankua se “sharra e SPAK po ha vetëm nga ne” dhe se si “durimi i socialistëve po soset”.

Në vend të SPAK u përgjigj Yuri Kim, sipas së cilës “duhet që drejtuesit politikë në pushtet ose jo, të mos thonë drejtësia futi anën time në burg”.

Të nesërmen Rama u tha gazetarëve “mua nuk më jep leksione askush për ndërhyrje, as shqip, as anglisht, as frengjisht”.

SPAK, zbrit se të vrava, hip se të vrava

Kur prindërit grinden, pasojat i vuajnë fëmijët. Në konfliktin mes ambasadores amerikane dhe kryeministrit Rama janë prokurorët e SPAK që nuk po kuptojnë se nga ç’anë do të fryjë era. Në fakt kjo është e vështirë për t’u parashikuar.

Por për sot, prokurorët e bënë zgjedhjen e tyre. E thirrën Ilir Beqjen dhe e mbajtën për më shumë se 8 orë në zyrat e tyre. Beqja u përgjigj për koncensionin e sterilizimit, të cilin më parë e ka mbrojtur edhe Edi Rama.

Por si ia bëri Arben Kraja?

Ndërsa Beqja mbahej nga prokurorët, kreu i SPAK ishte në takim me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadoren Lisa Johnson. Ajo udhëtoi drejt Tiranës për t’u takuar me Arben Krajën e SPAK dhe në fund u shpreh: “Jemi krenarë për bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion. SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar, etj. Përgëzime Kreut të SPAK Arben Kraja dhe Drejtoreshës së BKH-së Aida Hajnaj”.

Në foton që ka publikuar bashkë me Lisa Johnson, shefi i SPAK, Arben Kraja duket mirënjohës për takimin. Një buzëqeshje e lehtë i vizatohet në fytyrë, si shenjë falenderimi për mundësinë që iu dha të strehohet ca orë nën mbrojtjen e amerikanëve, ndërsa Ilir Beqja merret në pyetje.

Tani prokurorët e kanë dëshminë e ish-ministrit të Ramës. Kanë dhe mbështetjen e amerikanëve. Çfarë u mungon është leja e Ramës për të vepruar.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej