Trafikantët e emigrantëve po përdorin emoji (figura) në vend të fjalëve si përpjekje për të shmangur filtrat e “TikTok”-ut që bllokojnë reklamimet në internet për kalimet ilegale në Kanalin Anglez me gomone.
Në vend të videove ose imazheve të njerëzve në gomone, trafikantët vendosin emoji të varkave të vogla për të reklamuar shërbimet e tyre ilegale.
Trafikantët po shmangin përdorimin e fjalës “gomone” duke shkruar se ata kanë një “gomë që pret” për klientët e mundshëm.
Ndërsa në vend që të përdorin destinacionin “Angli”, ata përdorin imazhe të flamujve francezë dhe britanikë për të treguar pikat ku fillon dhe mbaron udhëtimi.
Valuta e paund nuk përdorët më për informacionet e pagesave, në vend të asaj trafikantët përdorin fjalët “3500 letra”, referuar kostos së kalimit në Angli.
Sipas një përditësimi të ri, “Tik-Tok” tani bllokon automatikisht postimet që përmbajnë disa fjalë kyçe në anglisht ose shqip që përdoreshin për të reklamuar trafikimin e emigrantëve me gomone.
Përdoruesve që kërkojnë për terma që lidhen me hyrjen e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, tani u shfaqet një mesazh paralajmërues për rreziqet e rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë personat që përpiqen të kalojnë ilegalisht për në MB.
Numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin Anglez ka rënë në pesë muajt e parë të vitit 2023, me 2% të mbërritjeve në krahasim me 28% të vitit të kaluar.
Një tjetër arsye për rënien e numrit të emigrantëve, përveç politikave të reja të “Tik-Tok”, është marrëveshja e re e dëbimit dhe kthimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Rreth 2 mijë shqiptarë janë kthyer në atdhe që nga firmosja e marrëveshjes vitin e kaluar.
Mesazhet e monitoruara nga “The Telegraph” nga maji i këtij viti e deri në qershor, zbuluan se trafikantët e emigrantëve po përpiqeshin të kundërshtonin kërcënimet e reja duke pretenduar se ata që kalonin Kanalin nuk do të deportoheshin në Shqipëri.
Ata gjithashtu u kanë thënë klientëve të mundshëm se pagesat e tyre do të kërkoheshin vetëm në momentin e mbërritjes dhe se emigrantët mund të dilnin nga qendrat e paraburgimit duke dhënë një adresë në Mbretërinë e Bashkuar.