Gjykata e Apelit ka dënuar dje me 18 vite burg Agron Manukën dhe Imer Loshën, të arrestuar një vit më parë me lëndë plasëse në makinë. Ata u arrestuan në 24 nëntor të vitit 2021 në aksin e vjetër Milot-Lezhë teksa po udhëtonin drejt Shkodrës me një makinë të mbushur me eksploziv. Brenda çantës u gjetën 30 kallëpe C4, një eksploziv i fuqishëm dhe 17 kapsolla detonatorë. Dyshohet se eksplozivi C4 do u dërgohej grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Shkodrës.
“Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve me iniciale A.M dhe I.L, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendimin nr. 391, datë 30.11.2022 ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 ( dhjetë) vite burgim; Deklarimin fajtor të të pandehurit I.L për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 8 ( tetë) vite burgim.
Në përfundim të gjykimit, më datë 25.04.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatorë Gjyqtare znj. Vojsava Osmanaj dhe anëtare znj. Valdete Hoxha dhe znj. Lutfije Celami, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 391, datë 30.11.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Policia kryen me sukses operacionin e koduar “Guns”
Ndërkohë një 43-vjeçar është shpallur dje në kërkim nga policia e Shkodrës, pasi i është gjetur arsenal armësh në shtëpi. Policia në Shkodër thotë se operacioni i koduar “Guns”, u zhvillua në fshatin Mali i Jushit, Bushat. Pas kontrolleve në banesën e 43-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi, 1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, poseduesi i armëve nuk u gjet në banesë dhe për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e tij 73 vjeçe. “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shodër, pas sigurimit të informacionit se një shtetas që banonte në fshatin Mali i Jushit, në Bushat, Shkodër, posedonte një arsenal armësh dhe dyshohej se po përgatitej për t’i shitur ato te shtetas me precedent kriminal, të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës dhe në kuadër të operacionit “Guns”, kanë ndërhyrë në banesën e 43-vjeçarit A. I. Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh, konkretisht: 1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi A. I. nuk është gjetur në banesë, ndaj është shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e shtetasit A. I., shtetasja L. I., 73 vjeçe”, njoftoi dje policia.
Arrestohet një i shumëkërkuar shqiptar në Greqi
Nga ana tjetër, është arrestuar në Greqi Kujtim Demiri, i dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri me 14 vite burg. Autoritetet greke në bashkëpunim me ato shqiptare, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe më pas arrestimin e 55-vjeçarit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “trafikimin e të miturve”. Gjykata e Krimeve të Rënda, në vitin 2010 ka dënuar me 15 vjet burgim Demirin pasi kishte kaluar në mënyrë të paligjshme, nga Shqipëria për në Greqi, një shtetas të mitur dhe nëpërmjet dhunës e ka detyruar atë që të lypë. Pas arrestimit nga autoritetet greke, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. “Në bazë të informacioneve të dërguara nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Capital”, është lokalizuar në Athinë, Greqi, është kapur dhe është arrestuar shtetasi shqiptar: Kujtim Demiri, 55 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, në vitin 2010, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Kujtim Demiri ka kaluar në mënyrë të paligjshme, nga Shqipëria për në Greqi, një shtetas të mitur dhe nëpërmjet dhunës e ka detyruar atë që të lypë, përreth 1 vit. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi nga Greqia drejt vendit tonë”, njoftoi dje policia.