Zbardhen bisedat si i bleu LSI votat në Pukë me 100 mijë lekë “për kokë”, SPAK çon dosjen në gjykatë

Ilir Meta, gjatë protestës që mbajti tek inceneratori i Tiranës, akuzoi dje SPAK se po bashkëpunon me PS-në për të vjedhur zgjedhjet vendore. Si për ironi, çështja fundit në SPAK për krime zgjedhore është një dosje për blerje votash në Pukë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pra nga partia e Ilir Metës, i cili i ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.

Sipas dosjes hetimore, teksa Meta me kërcënonte me prerje dore këdo që prekte një votë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, partia e tij kishte angazhuar sekserë me tufa parash për të blerë vota. Më 9 prill të vitit 2021, u arrestua në flagrancë Vasil Shabani, bashkë më disa zyrtarë të LSI-së në Pukë, ndërsa në makinë iu gjetën rreth 5 mijë USD dhe një fletë të ngjashme me fletën e votimit. I përshirë është edhe kryetari i LSI-së në Pukë është Demir Syla, i cili është nën hetim në gjendje të lirë.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Shabani ishte i përfshirë në fushatën zgjedhore dhe kishte komunikim me kryetarin e LSI në Pukë, Demir Syla, ku shkëmbenin lista me emra peronash të ndryshëm. Shabani u kërkon personave të tjerë numrin kartës së identitetit, për t’i identifikuar si votues të LSI-së.

Nga zbërthimi i komunikimeve, Vasil Shabani kontakton Lorenc Malajn për të siguruar vota në këmbim të parave për LSI. Një votë blihej me 100 mijë lekë të vjetra ose rreth 10 USD. Shabani dhe Malaj komunikojnë nga data 19 janar 2021 deri në 8 prill 2021, për blerje votash për LSI-në.

-Shabani: Si po e lam për atë at muhabetin që kena fol a mund sigurojsh nanja a jo.

-Malaj: Qa bane ti, nonja bahet, por pa lek sti jeo kush veq tmijat.

-Shabani: Sa mun bajm me lek.

-MalajPo se di fiks burr se ka kohë pa i pa kush del te kto tjerat iher sjapin shum…sa japin për nja (një) sa lek.

-Shabani: Do vish masneser në Puk se vjen ai shoku ta takojm.

-Malaj: Mirë si je ti…kam pun nuk mun vi, na pyt ti e na kallo ca thot… Kam nja ni 20 ni ven pyete ca thot ti e rri noj dite ateher me ty npuk.

-Shabani: Po mir, si mi than per pune apo tjeter gja.

-Malaj: Per tjeter gja per qato se nuk i kam vet. Ca jan tu ba ata jan tu e len per diten e funit a…se me duhet me dit.

-Shabani: Besoj deri të dielën kryjm per at muhabet, përfundimisht sa behet te ti se du me dit…sa ke ne Iball dhe sa jane tjeterkun.

-Malaj: 20 kam pas thanë i her…qato 20 në fierz…qato kam problem…në iballe nja 3 tmijat…

-Shabani: Si kalove…neser jam ne Puk.

Vasil Shabani i thotë Malajt se të nesërmen do të shkonte ta takonte në Pukë. Shabani shkon në Pukë, të nesërmen, datë 9 prill 2021, ku arrestohet në flagrancë. Në telefonin e Vasil Shabanit është gjetur një listë me 13 emra, si votues të qendrës së votimit Breg-Qelëz, si dhe një lsitë tjetër me 11 emrat. Listat i janë dërguar kreut të LSI, Demir Syla.

Është pyetur Gëzim Mexhaj, i cili ka rrëfyer se Vasil Shabani i ka kërkuar votën e tij, të bashkëshortes dhe të nënës për LSI-në, në këmbim të 30 mijë lekë të reja ose rreth 300 USD. Mexhaj e ka refuzuar ofertën pasi lekët i donte para ditës së votimit dhe jo më pas. Është pyetur Pal Feta, i cili ka rrëfyer se Vasil Shabani i ka kërkuar të shiste votën për 10 mijë lekë të reja për LSI-në. Feta ka theksuar se nuk ka pranuar që ta shesë votën.

Nga provat e mbledhura, hetuesit kanë krijuar bindjen se Vasil Shabani ka blerë vota në Pukë për llogari të LSI-së, partisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. SPAK ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ku Shabani i LSI-së akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, parashikuar në nenin 328 të Kodit Penal.

Por, SPAK nuk ka arritur të ndjekë rrugën e parave të hedhura për blerje votash, me qëllim për të identifikuar burimin e parave. Kur është pyetur se kush ia ka dhënë paratë për blerjen e votave, Vasil Shabani ka pohuar se paratë ia ka dërguar vëllai nga Irlanda, përmes një personi që ia kishte lënë paratë tek tezja Marie Shqefni. Hetuesit kanë pyetyr Marie Shqefnin e cila ka mohuar që t’i ketë dhënë dikush para për Vasil Shabanin. Hetimet nuk vijojnë më tej për të zbuluar burimin e parave./ Adriatik Doci, Shqiptarja.com

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej