Zbardhen detajet nga grupi hetimor/ Vrasësi i Nikulajt nga zona e Shkodrës, autorët kishin akses në kamerat e kompleksit “Coral”

Autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin është nga zona e Shkodrës dhe ka dyshime të forta se ka patur akses në kamerat e sigurisë të kompleksit “Coral” në pronësi të viktimës ku ndodhi edhe ekzekutimi.

Në këtë konkluzion ka dalë grupi hetimor pas shumë veprimeve hetimore të kryera dhe analizimit të dhjetëra orëve pamje filmike të kamerave të sigurisë në zona të ndryshme, raporton Report tv.

Hetuesit kanë dyshime se për realizimin e këtij atentati kanë bashkëpunuar disa persona të cilët i kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre brenda kompleksit “CORAL”, përmes kamerave të sigurisë.

Për të vërtetuar diçka të tillë po ekzaminohet serveri si dhe qelizat telefonike të personave për të cilët ka dyshime të kenë lidhje me ngjarjen. Nga veprimet e kryera dhe marrja e dëshmive të personave të cilët kanë qenë brenda lokalit në momentin e ngjarjes është arritur të ndërtohet një profil i autorit, i cili shfaqet i kamofluar dhe duke lëvizur me motorr.

Ekzekutori mendohet të jetë nga zona e Shkodrës dhe është i moshës nga 30 deri në 40-vjeç, ndërsa ka dyshime të forta që të jetë vrasës më pagesë që ka kryer edhe ekzekutime të tjera të njerëzve të njohur të botës së krimit në zonën e veriut por edhe më gjerë.

Kujtojmë se Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 Prill, pas pak mesdite kur sapo kishte hyrë dhe ishte ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit.  50-vjeçari u qëllua me 7 plumba dhe një e kapi në ballë duke e lënë të vdekur në vend. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.

Autori, siç është parë nga pamjet e bëra publike, mbante një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.

Pista kryesore e hetimit është ajo e gjakmarrjes, pasi në vitin 2000 anëtarë të fisit Balaj kanë vrarë vëllanë e Ardian Nikulajt. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë vrarë dy persona nga fisi Balaj.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej