A do ja hajë “kokën” Delina Ibrahimajt ‘dacibao’ e Edi Ramës për rritjen e pagave

Sa herë i del ndonjë mashtrim apo dështim, kryeministri Edi Rama bën mashtrime të tjera, për t’i justifikuar sikur nuk ka asnjë lidhje me to e ia faturon përgjegjësinë vartësve, siç po bën me mashtrimin për rritjen e pagave të buxhetorëve.

Justifikimin e filloi në takimin elektoral të Kukësit e kudo ku shkon, duke thënë: – Po shpifin sikur unë gënjeva për rritjen e pagave, dhe sikur e pengova unë dhënien e tyre nga data 1 prill, por ato i bllokuan deputetet që donin rritje pagash për veten e tyre.

Madje Babloku, nga frika e humbjes së votave, u betua se pagat do miratohen menjëherë pas zgjedhjeve, ose edhe sikur ligji të miratohet në fund të vitit, rritja do paguhet nga data 1 prill 2023, mirëpo si për rastësi, 1 prilli është dita e gënjeshtrave dhe premtimi rezultoi i tillë.

Një zyrtar i Drejtorisë së Buxhetit e Komitetit të Pagave në Ministrinë e Financa- Ekonomisë, ka sqaruar për “Pamfleti”, të vërtetën e mashtrimit të gjoja bllokimit të pagave nga parlamenti dhe fuqinë financiare të qeverisë deri në fund të vitit 2027.

Fakti i parë/ Në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shtetit, nuk kanë asnjë vendim qeverie për rritje pagash, sepse nuk ka vendim shkresor të miratuar nga Këshilli i Ministrave, por vetëm deklaratë politike të Edi Ramës.

Fakti i dytë/ Kryeministri urdhëroi të bëhej me Akt Normativ pagesa në muajt prill-maj sa për efekt fushate, por aktet normative nuk kanë fuqi ligjore për rritje të përhershme pagash e ndryshim buxheti, ndaj i bllokoi Banka e Shtetit.

Fakti i tretë/ Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u urdhërua nga kryeministri Edi Rama, të kalonte fondin 62.6 miliardë lekë të vjetra  për rritjen e pagave në muajt prill-maj që është fushata, por ajo me të drejtë kërkoi miratim nga parlamenti.

Fakti i katërt/ Për të justifikuar mashtrimin e tij, Edi Rama urdhëroi Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Ekonomi- Financave, Eduard Shalësi, të sajonte një seancë me ministren dhe ekspertët e Financave, ku anëtarët e komisionit të aktronin sikur kërkonin edhe rritjen e pagave të deputetëve e të bojkotonin mbledhjen, siç ndodhi; ndërsa mbledhja vazhdoi edhe 20 minuta pa praninë e mediave dhe pa praninë e punonjësve ndihmës të Kuvendit.

Fakti i pestë/ Para hyrjes në komisionin parlamentar, ekspertëve të Ministrisë së Financave, i morën telefonat dhe u kontrolluan fizikisht, që të mos kishin asnjë mundësi regjistrimi të bisedave në mbledhje.

Fakti i gjashtë/ Sipas rregullores së parlamentit, mbledhja e komisionit për pagat duhej bërë pas 24 orësh, por duke qenë se ishte skenar mashtrimi, Edi Rama urdhëroi Lindita Nikollën të kyçte krejt parlamentin deri pas zgjedhjeve.

Fakti i shtatë/ Sipas premtimit, fondi i rritjes së pagave nga data 1 prill 2023, është 345 milionë Euro shtesë të cilat buxheti nuk i ka, ndërsa me premtimin për pagën mesatare 900 Euro nga 1 prilli 2024; vetëm fondi i shtesës së tyre është 710 milionë Euro në vit, të cilat sipas ekspertëve, buxheti shtetit nuk do t’i ketë si të ardhura shtesë deri më 2027.

Sepse, gjatë vitit 2023 parashikohet të ketë 380 milionë Euro shtesë të ardhurash.

Mirëpo për rritjen e pagës mesatare 900 Euro/muaj, duhen 710 milionë Euro çdo vit, përveç 345 milionë Euro për rritjen e pagave nga 1 prilli 2023.

Pra, me fuqinë aktuale dhe parashikimet e rritjes së të ardhurave, pagat nuk mund të rriten, por deri më 14 maj, Babloku do shkarkojë ministren e Financave Delina Ibrahimaj, siç bën rëndom me vartësit e tij./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej