A do ta hapë Gledis Nanos “kutinë e zezë” të kupolës së mafies?

Ish-kryepolici i hedhur si “leckë”, la të kuptohet se informacionet do t’i dorëzojë te partnerët ndërkombëtarë, ndërkohë që pothuajse hapur, tha: – Përballë kisha sfida të vështira e aspak të lehta për t’i kaluar, por jeta është ndërtuar e tillë…”. Logjikisht, në një post e sektor të tillë, pengesat për të kryer detyrën nuk vijnë nga vartësit policë, qytetarët apo eksponentët e krimit, por nga ata lart, që urdhërojnë të mos luftohet pjesa “VIP” e krimit, me të cilën kanë lidhje familjare e interesash të pista

Një ditë pas shkarkimit, krejt i qetë e me fytyrë më të “çelur” se gjatë 10 muajve në detyrë, ish-drejtori i Policisë, Gledis Nano, bëri një falenderim publik për punonjësit e policisë, ekspertët ndërkombëtarë të anti-krimit, mediat dhe qytetarët.

Jashtë falenderimit, Gledis Nano la kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm, Bledar Çuçi, zëvendësuesin Tonin Vocaj, vartësit në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve me të cilët e lidhte puna direkt.

“Falenderimi” i ish-kryepolicit Nano, kaloi në heshtje nga mediat pranë pushtetit, si një tekst shabllon kortezie, që bëjnë gjithë të shkarkuarit dhe të dorëhequrit, por që në fakt ishte një mesazh paralajmërues ndaj Ramës e Çuçit, për fillimin e një “lufte të ftohtë” me ta.

Hakmarrjen, për shkarkimin pa mbushur akoma vitin në detyrë, me motivin “Mos plotësim objektivash”, Gledis Nano e shprehu pothuajse hapur duke thënë:

– Përballë kisha sfida të vështira e aspak të lehta për t’i kaluar, por jeta është ndërtuar e tillë, me veprime e ligje të pandryshueshme, të ardhura nga kohërat…”; d.m.th, të trashëguara si “kod” i detyruar dhe i zbatuar me përulje nga të gjithë drejtuesit e policisë në çdo nivel.

Dhe Nano e ka zbatuar këtë Kod nënshtrimi në shumë raste ndaj urdhrave nga lartë, por shkarkimi me një “fjalë goje”, i ka “ndezur gjakun” për kundër-përgjigje ndaj Ramës, Çuçit dhe atyre që kanë rrotull e në shërbim brenda policisë, biznesit e grupeve të trafiqeve që janë pjesë e kupolës.

Pra, Gledis Nano si kryepolic, i ka hasur pengesat nga shefat e tij kryeministër e ministër, sepse logjikisht, në një post e sektor të tillë, pengesat për të kryer detyrën, nuk bëhen nga policët, qytetarët apo eksponentët e krimit, por nga ata që urdhërojnë të mos luftohet pjesa “VIP” e krimit, me të cilën kanë lidhje familjare e interesash.

Prandaj jo më kot, kryepolici, tha se gjatë 11 muajve në detyrë, ka pasur vetëm mbështetjen e personaliteteve ndërkombëtar dhe të agjencive partnere, që nënkuptohet se janë ambasadorja Yuri Kim, FBI, DEA, Europol, Interpol etj.

Me këtë, deklaratë dhe me citimin e thënies së ish-Presidentit të Izraelit, Shimon Peres, se: “Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh; gjëja më e ndërlikuar është të kesh frikë”; Gledis Nano ka dhënë sinjalin, se dosjet dhe informacionet që ka grumbulluar, do t’i dorëzojë te partnerët ndërkombëtarë.

E vërteta është, se në Shqipëri, kupola e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit në çdo nivel e strukturë, bizneset “VIP” dhe trafikantët me maskë biznesmenësh, janë bërë bashkë në hartimin e ligjeve, ndarjen e pasurive, kontrollin e bankave, tatimeve e doganave.

A do ta hapë ish-kryepolici Gledis Nano, “Kutinë e zezë” të organizatës mafioze “Qeveri-polici-biznese-trafikantë”?

Sepse provat që ka një Drejtor Policie e ish-shef i Anti-Terrorit, nuk janë për xhepistët, hajdutët e banesave dhe biçikletave, por për kupolën që komandon shtetin./Pamfleti

 

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej