Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, sa i takon shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga Britania e Madhe dhe se si do të jetë bashkëpunimi i LSI me Berishën, u shpreh sot në një intervistë televizive se është çështje e tij personale.
“Është një çështje personale e zotit Berisha dhe për këtë ka pasur një komunikim publik shterues, e keqja e vendit është keqqeverisja, largimi i të rinjve nga vendi, pagat e ulëta.
Këto janë problemet sot për vendin. Për vendimmarrjen e fundit apo edhe të parën nga SHBA, zoti Berisha ka pasur komunikim shterues, ne na intereson marrëdhënia me qytetarët.
Tashmë është e njohur për opinionin publik se zoti Rama është tërësisht i korruptuar, Rama është shkatërrues i sistemeve ligjore, gjithmonë ka tentuar të shkatërrojë sistemin e drejtësisë.
Janë këto e keqja e vendit që një opozitë e bërë bashkë në një front të gjerë, duhet të luftojnë për të kthyer shërbimin e munguar.”, u shpreh ai.